Një ditë pas reagimit të djalit të kryeministrit ndaj deklaratave të opozitës për pasuritë e familjes Berisha, deputeti socialist, Taulant Balla, tha se PS nuk zmbrapset nga pyetjet për pasurinë e bllokmenëve të rinj blu, pavarësisht nga shantazhet e tyre.
“Familja e Saliut vazhdon t’i hakërrehet opozitës, ndërkohë që ne nuk zmbrapsemi nga pyetjet për pasurinë e dyshuar të kësaj familjeje. Dje Saliu nxori djalin për të shantazhuar PS me gjyqin e radhës në gjykatën e kontrolluar prej babit. Sipas Shkëlzenit, PS po shpif, por fakti është që PS ka lexuar fjalë për fjalë dhe shifër për shifër vetëm deklaratat e pasurisë të familjes Berisha, ndërkohë që po pyet dhe po pret përgjigje në emër të opinionit për disa pyetje që lidhen pikërisht me çfarë ata vetë kanë deklaruar”, tha Balla.
Më tej, deputeti socialist përsëriti pyetjet që opozita bën prej disa ditësh ndaj fëmijëve të kryeministrit.
“Si ka mundësi që ndërsa advokon formalizimin e ekonomisë, vetë Saliu na paska një thes 10 milionësh në një cep të shtëpisë, të cilin pothuaj e kishte harruar dhe kish shtuar me dorë?
Si ka mundësi që vajza e Kryeministrit, zonja Argita Berisha na marrka 146 milionë lekë nga mësimdhënia? Vetëm pse babi është Kryeministër, e bija e tij na qenka edhe mësuesja më e paguar në botë.
Kush janë universitetet që paguajnë tarifa të tilla, që rivalizojnë me universitetet më prestigjioze në botë?
Sa orë në vit jep mësim kjo zonjë, për të marrë këto lloj pagesash?
Çfarë biznesi ka zhvilluar me pronat e paluajtshme i biri i Kryeministrit Shkelzen Berisha për të fituar mbi 490 milionë lekë?
Si i janë shtuar pasuritë me 100 mijë euro më tepër sesa të ardhurat në një vit?
Cilat janë bizneset që kanë ndihmuar, apo konsultuar juristja Argita dhe ndërmjetësi Shkëlzen?
A nuk meritojnë një sqarim publik këto pikëpyetje rrëqethëse që lindin nga deklaratat e errëta të pasurisë së familjes së kryeministrit.
Si munden këta njerëz t’i ikin përgjegjësisë publike të tranparencës duke akuzuar në tym PS dhe Edi Ramën?”.
Balla theksoi se PS do ta vijojë denoncimin e pasurive kryeministrore pas festës.
“E pra po, kjo është e mundur sepse këta njerëz me kryefamiljarin e tyre në krye jetojnë në një botë tjetër. Në një botë pa asnjë barazi para ligjit. Në një botë pa shtet e as institucione në shërbim të publikut. Në një botë ku njerëzit vrasin veten nga varfëria, kurse të pushtetshmit lundrojnë në lumenj parash të pista. Por ky që po mbyllet është viti i fundit i marrëzisë së madhështisë së Sali Berishës, që u ka mbirë në sy shqiptarëve duke ua rrokanisur kokën përditë në çdo ekran.
Dhe sot, meqë është edhe një vigjilje feste, le ta lëmë me kaq, me premtimin që do ta vijojmë transparencën e xhevahireve të korrupsionit të këtij pushteti menjëherë pas festës. Gëzuar të gjithëve dhe shumë faleminderit të gjithëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që na jepni”, përfundoi ai.