Ekonomia shqiptare vijon të jetë në kufinjtë minimalë të rritjes ekonomike. Kjo konfirmohet nga Banka Qëndrore, në analizën e saj për nëntë muajt e këtij viti. Guvernatori i Bankës Qëndrore në daljen e tij para medias u shpreh se “ekonomia shqiptare është karakterizuar nga rritja e ngadaltë ekonomike dhe nga presione të ulëta inflacioniste, gjatë vitit 2013. Rritja ekonomike u ngadalësua në 1.1për qind në tremujorin e dytë të vitit, ndërkohë që informacionet e disponuara sugjerojnë për një aktivitet të dobët ekonomik edhe gjatë tremujorit të tretë. Ecuria e dobët e kërkesës private ka kompensuar impulset pozitive në rritje, të gjeneruara nga stimuli fiskal dhe nga kërkesa e huaj, në gjashtëmujorin e parë. Konsumi dhe investimet e sektorit privat vlerësohen të kenë patur një ecuri të dobët, ndërsa kërkesa e huaj ka vijuar të frenohet nga situata ekonomike e partnerëve tanë tregtarë”. Sipas guvernatorit Ardian Fullani, presionet inflacioniste janë dhe do të vazhdojnë të ulëta, çka do të bëjnë që politika monetare të vazhdojë të jetë stimuluese dhe për periudhën në vijim, duke bërë të mundur ruajtjen e inflacionit në periudhë afatmesme. Megjithatë, Fullani theksoi se stabiliteti makroekonomik është ruajtur. Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm i mirëkapitalizuar dhe me likuiditetin e nevojshëm. Inflacioni vijoi prirjet ngadalësuese, duke qenë mesatarisht 1.5 për qind për 9 mujorin, i ndikuar nga reduktimi i çmimeve bujqësore. Kapacitetet në ekonomi mbeten të pashfrytëzuara, tha Fullani. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë u mbështet kryesisht nga sektori publik. Shpenzimet konsumatore, ndonëse u rritën, nuk dhanë kontribut domethënës në rritjen ekonomike të vendit. Të përballur me një kërkesë të ulët konsumatore dhe në prani të kapaciteteve të pashfrytëzuara, edhe investimet private kanë mbetur të ulëta. Politika fiskale ishte stimuluese, sidomos në gjysmën e parë të vitit. Shpenzimet u rritën me 8 për qind dhe të ardhurat ranë me 4 për qind për tetë mujorin, duke sjellë një deficit prej 1.25 herë më të lartë se vitin e kaluar, që u financua kryesisht me instrumenta të brendshëm afatgjatë. Është rritur njëkohësisht dhe borxhi publik, tha Fullani. Rritja ekonomike pritet të jetë e dobët dhe në vijim, në prani të mungesës së stimulit fiskal dhe kërkesës së dobët, duke mbajtur të frenuara çmimet e konsumit.
Gjallërim i lehtë i kredisë, por bie 1.8% me bazë vjetore
Ecuria e kredisë ka qenë e dobët, tha Fullani. Huaja u tkurr në korrik dhe gusht, duke rënë në fund të gusht me 2 për qind me bazë vjetore. Kjo prirje ka reflektuar kërkesën e dobët nga biznesi dhe forcimit të kushteve nga bankat. Fullani përmendi si pozitiv procesin e pastrimit të bankave nga kreditë që nuk kanë shpresë të kthehet. Kredia për ekonominë shfaqi sinjalet e para të rigjallërimit në shtator, pasi kishte rënë për tre muaj radhazi, megjithatë, me bazë vjetore huadhënia për bizneset e individët ka shënuar rënie prej gati 2 për qind . Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit shtator arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.44 për qind, apo rreth 2.4 miliardë lekë, në raport me një muaj më parë. Rritja ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e rigjallërimit të huasë në valutë, ndërkohë që ajo në lekë ka mbetur në vend. Në krahasim me fundin e vitit 2012, huaja për ekonominë është tkurrur me 1.3 për qind apo rreth 7.4 miliardë lekë. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin rreth 3 për qind dhe 15 miliardë lekë. Me bazë vjetore (shtator 2013/shtator 2012), huaja për ekonominë është reduktuar me 1.8 për qind, apo rreth 10 miliardë lekë (një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 5.5 për qind dhe 29 miliardë lekë). Një paketë e Bankës së Shqipërisë, e miratuar në fillim të muajit prill, që synonte përmirësimin e ekzekutimit të kolateralit dhe lehtësimin e kritereve të likuiditetit për bankat, nuk arriti të nxisë huadhënien, teksa bankat vijuar të përqendroheshin në menaxhimin e huave me probleme, që në fund të gushtit u rritën sërish në 24.1 për qind të totalit, pasi kishin rënë lehtë në korrik. Arsyet e kreditimit të ulët lidhen si me kërkesën e dobët të biznesit, që ka frenuar investimet, ashtu dhe nga shtrëngimi i standardeve të kreditimit nga bankat. Kjo e fundit duket të jetë më e fortë se rënia e kërkesës, teksa Banka e Shqipërisë ka pranuar se tkurrja e huasë nga bankat po ndikon në lulëzimin e kredisë informale.