“S’kemi marrë ende asnjë lekë për dëmet e përmbytjeve të dhjetorit 2010 dhe tani uji na hyn sërish brenda”. Kështu shprehen banorët e lagjes “Bahçallëk” në Shkodër lidhur me situatën e dy ditëve të fundit. Ata deklarojnë se janë gjetur të papërgatitur dhe askush nuk i ka lajmëruar se do të hapeshin portat. “Pamë televizorin dhe faktin që ata të emergjencave civile thanë se nuk kishte rrezik dhe situata ishte nën kontroll. Por ja që në orën 8 të mbrëmjes pamë ujin që na hyrë në shtëpi dhe s’kishim kohë as të largonim pajisjet e rrobat, se uji nuk pret”, thonë banorët. Ata akuzojnë pushtetin se duhet t’i kishte lajmëruar për hapjen e portave. “Ne e dimë që po u hapën portat, uji vjen tek ne. S’kemi marrë ende lekët për dëmet e 2010-s dhe tani mbytemi sërish. Mos të na afrohen për të kërkuar vota, se nuk do t’i japim”, shprehen banorët e lagjes “Bahçallëk”.
Në raste të caktuara është dashur edhe ndërhyrja e policisë për të nxjerrë banorët e izoluar nga uji. Një prej tyre tregon se uji vërshoi brenda në banesë pak para mesnatës, ku ndodheshin 7 vetë, katër prej të cilëve fëmijë. “S’kishim asnjë mundësi të dilnim, – thotë gruaja. – Erdhën forcat e emergjencës me varka dhe gomone dhe na nxorën e na vendosën në këtë konvikt”.
Pavarësisht pretendimeve të ministrave për marrjen e masave në kohë dhe lajmërimeve të bëra në kohën e duhur, banorët thonë se nuk janë lajmëruar kur duhej për shkarkimet nga hidrocentralet dhe se situata i ka gjetur të papërgatitur, duke u shkatërruar të paktat gjëra të shpëtuara nga përmbytja e tre viteve më parë.
Zyrtarizmat që përplasen
Ndërkohë lidhur me situatën në Shkodër, njoftuan zyrtarisht dje Ministria e Brendshme dhe Komisioni i Emergjencave Civile të Qarkut. Ato njoftuan punën e mirë e të dyja institucioneve, duke përsëritur se “situata është nën kontroll”, ndërkohë që patën një mungesë përputhjesh të shifrave. Nga Emergjencat e Shkodrës u deklarua se nën ujë ndodheshin rreth 4 900 ha, ndërkohë që në deklaratën e pak orëve më pas nga Ministria e Brendshme u tha se “aktualisht në territorin e rrethit Shkodër është përmbytur rreth 2000 ha tokë, kryesisht në Bashkinë Shkodër, zona e Bahçallëkut dhe Ajasëm, por edhe në komunat Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Bushat”. Një mospërputhje shifrash prej 2 900 ha. Pavarësisht se kaluan dy orë, siç u shprehën vetë banorët “edhe sikur dielli të kishte pjekur në qiell, 2000 ha nuk do të ishin tharë”.
Statistikat
Ndërkohë, zyrtarisht, pushimi i reshjeve dhe ulja e sasisë së shkarkimeve nga hidrocentralet mbi lumin Drin ka ndikuar në normalizimin e situatës dhe largimin e ujit nga një pjesë e sipërfaqes së mbuluar prej tij në rrethin e Shkodrës. Nivelet e ujërave brenda natës kanë rënë 40%, rruga nacionale Shkodër – Lezhë në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, është e kalueshme.
Sipas të dhënave nga prefektura e qarkut Shkodër, në Bashkinë Shkodër u përmbytën rreth 200 ha tokë në zonën “Bahçallëk”, “Ajasëm”, lagjen “Mark Lulaj”, Pedonale, duke izoluar rreth 60 shtëpi banimi dhe objekte. Në komunën Ana e Malit u përmbytën rreth 1800 ha, duke izoluar nga uji rreth 161 shtëpi në fshatin Obot, 19 shtëpi në fshatin Gorricë dhe 11 shtëpi në fshatin Muriqan. Në Komunën Guri i Zi u përmbytën rreth 800 ha tokë, duke izoluar nga uji rreth 20 shtëpi në fshatin Rrenc, 20 shtëpi në fshatin Kasape. Në Komunën Bërdicë u përmbytën rreth 500 ha tokë, duke u izoluar nga uji rreth 55 shtëpi. Gjithsej, rreth 4900 ha tokë të përmbytur dhe rreth 315 shtëpi të izoluara nga uji. Ka pasur probleme të furnizimit me energji elektrike në fidrin Nr 15 i cili furnizon fshatin Bardhaj dhe komunën Postribë për shkak të këputjes së linjës TL në shtartin e Lumit Kir.
Evakuimet
20 familje në lagjen “Ajasëm”,
55 familje në fshatin Bërdicë,
20 familje lagjja “Bahçallëk”,
45 familje fshati Kuç
Një pjesë e familjeve mësohet se u akomoduan në konviktin e Shkollës Industriale, ndërsa familjet e fshatrave Bërdicë e Kuç, janë akomoduar pranë të afërmve të tyre.
Nga Bashkia Shkodër janë marrë të gjitha masat për njoftimin e komunitetit pas njoftimit për shkarkimet në rajonet 1, 4 dhe 5, si dhe sigurimin e kushteve për akomodimin e të evakuarve në konviktin e Shkollës Industriale. Me ndërprerjen e reshjeve gjatë ditës së premte, familjet janë kthyer në banesat e tyre.
Mungesa e fondeve, by pass-i i qytetit lihet në harresë
Bypassi i qytetit të Shkodrës i konsideruar si vepra më madhore infrastrukturore që do t’i shërbente maksimalisht qytetit duke evituar përmbytjet dhe duke u bërë një rrugë lidhëse me ato nacionale, me trotuare të gjëra vepra arti, mure rrethuese, ndriçim e hapësira të gjelbërta tani po njeh shijen e lënies në harresë. Në gjithë gjatësinë e tij mund të shohësh vetëm mjetet e ndërmarrjeve kontraktuese të lëna në mes të trasesë së rrugës, ndërkohë që nuk shihet asnjë punëtor të punojë në to. Pas premtimeve të shumta ,prej muajsh pezullohen punimet duke mos dhënë asnjë justifikim për këtë situatë. Ndërmarrjet kontraktuese që duhet të operonin në të njëtën kohë në segmente të ndryshme të këtij objekti, nuk punojnë.
Duket se këto pezullime punimesh të herëpashershme janë pasojë e asaj që quhet “mosshlyerje detyrimesh” nga ana e shtetit për këtë objekt kundrejt ndërmarrjeve kontraktuese. Burime të ndryshme informojnë se deri tani ndërmarrjet kontraktuese kanë punuar me fondet dhe mjetet e veta dhe nuk kanë marrë asnjë lloj pagese apo fondi për punën e kryer.
Situata duket e paqartë në një kohë që u premtua se do të punohet maksimalisht me të gjitha mjetet për ndërtimin e plotë të të gjitha veprave të artit, ndërtimin e mureve anësore përgjatë rrugës, rritjen e nivelit të trasesë së rrugës me 50 cm të tjera material shtrimi që deri tani edhe ky i fundit ka mbetur në grumbuj pa u marrë kush me të. Ndërkohë që afati i fundit për marrjen në dorëzim dhe përfundimin e këtij objekti është 3-mujori i parë i vitit 2013, nuk dihet ende se si do vijojë puna për t’u përfunduar në kohë. Inspektimet nga autoritetet vendore e qendrore nuk kanë munguar, por duket se ato kanë qenë formale.
Situata në gjithë vendin
Bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionet e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata e krijuar nga rreshjet e ditëve të fundit paraqitet si më poshtë:
Qarku Vlorë
Në qarkun e Vlorës, situata më problematike paraqitet në Urën e Mifolit, në fshatrat Fitore, Trevllazën dhe Novoselë të komunës Novoselë. Aktualisht reshjet kanë pushuar dhe situata po vjen duke përmirësuar. Prurjet e lumit Vjosa po pakësohen dhe niveli i ujit tek ura e Mifolit është 6 m nga 7 m që është pika kritike. Janë evakuar 30 familje të fshatrave të bregut të lumit Vjosë (fshati Fitore, Novoselë, Zhurë dhe Grykë-Pishë), si dhe tre familje që ndodhen pranë urës së Mifolit.
Qarku Fier
Toka bujqësore të përmbytura janë: komuna Hekal 50 ha, komuna Kutë 50 ha, komuna Frakull 50 ha dhe komuna Cakran 30 ha. Në komunën Levan rreth 38 familje të fshatrave Ferras dhe Çervez 2, janë prekur nga prezenca e ujit, por jo në banesa. Problematike aktualisht paraqitet gjendja në lumin Seman, pasi prurjet tek ura e Mbrostarit janë në kuota maksimale.
Qarku Durrës
Janë evakuar rreth 20 familje në fshatin Katund i Ri, komuna Sukth. Në gjithë qarkun po punohet për eleminimin e pasojave të përmbytjeve.
Qarku Lezhë:
Hidrovorët punojnë të gjithë, niveli i ujërave në basenët e hidrovorëve është në kuota të larta.
Sipërfaqe të tokave bujqësore me prani uji janë:
Në zonën e Zadrimës 300 ha, Komunat Dajç, Blinisht, Balldre, Kallmet;
Në zonën e Bregut të Matës 400 ha, Komunat Kolsh, Zejmen, Shënkoll;
Në zonën Fushë-Gjormë 150 ha, Bashkia Laç, Mamurras e Komunës Fushë-Kuqe;
Në zonën Fushë-Mamurras, Adriatik 100 ha, Bashkia Mamurras, K. F.Kuqe.
Gjendja e rezervuarëve është në normalitet të plotë.
Në rrethin Mirditë:
Problem paraqesin bllokimi i rrugëve rurale nga materialet inerte të rëna nga pjerrësit malore, si dhe shembje të një segmenti rruge, konkretisht:
Rruga Rrëshen-Kurbnesh, në afërsi të fshatit Farrë, ka rrëshqitje dheu;
Rruga Rrëshen-Malaj, në afersi të fshatit Bungaj, ka rrëshqitje dheu.
Problem paraqet dëmtimi i argjinaturës në përroit në fshatin Troshan, Komuna Blinisht të rrethit Lezhë, nga rreshjet, situata është rënduar, me pasoja për banesat, shkollën, infrastrukturën etj.
Qarku Elbasan
Në qarkun e Elbasanit problem është vetëm bllokimi i aksit rrugor Cërik – Banjë – Gramsh, bllokuar si pasojë e prurjeve të materialeve inerte të lumit Devoll.
Në të gjitha zonat vijon puna për normalizim e plotë të situatës.
Novoselë, banorët: Jemi mësuar, përmbytemi gjithnjë!
Reshjet e dendura përgjatë 24 orëve në rrethin e Vlorës kanë shkaktuar probleme dhe përmbytje në zona të tëra në komunën e Novoselën si dhe në fshatrat Mifol, Pishporo, Fitore dhe fshatin Delisuf. Tashmë 15 banesa dhe sipërfaqe të konsiderueshme tokash janë nën ujë.
Deri në orët e mbrëmjes u përmbytën 15 banesa. Banorët e tyre janë larguar duke u strehuar tek të afërmit. Nivel i ujit në shtratin e lumit është rritur mbi 7 metra mbi nivelin e detit, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha toke bujqësore banesa, si dhe ka rrezikuar disa biznese në këtë zonë.
Kryetari i komunës Novoselë, Kanan Shakaj në një konferencë për shtyp tha se situata po përmirësohet dhe se deri në orët e vona të natës pritet të ulen prurjet.
Kërcënim serioz paraqet dëmtimi i argjenaturave të lumit në zonën e Novoselës, një pjesë e të cilave tashmë është e dëmtuar. Nëse argjinaturat çahen, mund të përsëritet përmbytja e vitit 2005 në këtë zonë. Banorët thonë se ata përmbyten sa herë që del lumi. “Jemi mësuar tashmë dhe e dimë se kur mund të përmbytemi, pasi dëgjojmë zhurmën dhe shohim nivelin e ujit të lumit. Largohemi para se të ndodhë përmbytja”, thonë banorët.