Kanë kërcënuar me bojkotim të zgjedhjeve të 23 qershorit nëse nuk do të kompensohen për dëmet e shkaktuara nga përmbytja në dhjetor 2010, si dhe nga uji i këtyre ditëve. Banorët e fshatit Trush të Shkodrës deklaruan se uji ka shkatërruar gjithçka. “Do dalim me lopë, dhi, dele e derra tek kutitë dhe në këtë, që është më i madhi në këtë komunë, nuk do të ketë votime. Shteti të na japë paratë e përmbytjes së 2010-s dhe atë që na shkaktoi tani”, thanë ata në protestën e djeshme.
Fermerët e fshatit Trush të komunës së Berdicës u shprehën se po përballen me probleme të mëdha, pasi uji ka vërshuar në toka dhe blegtoria ka mbetur pa ushqim. Një gjë e tillë ka çuar në ngordhjen e gjësë së gjallë dhe fermerët i bëjnë apel shtetit të ndërhyjë.
Sipas kryekomunarit Besnik Brahimi, banorët merren vetëm me bujqësi dhe blegtori dhe përmbytjet u kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. “Situata është shumë e vështirë dhe nuk ka shpresë. Blegtoria u siguron jetesën, por uji ka dëmtuar ushqimin dhe gjënë e gjallë”, tha Brahimi.
Fushat e Trushit ndodhen nën ujë prej disa ditësh, ndërsa sipërfaqja e mbuluar nga uji arrin në mbi 500 ha tokë. Shumë prej fermerëve kanë pasur të mbjellur tokën dhe gjithçka tashmë është nën ujë. Nga ana tjetër, banorët kërkojnë edhe dëmshpërblimet e përmbytjeve të 2010-s ku përmbytja u shkaktoi dëme jo vetëm në të mbjella, por edhe në banesa.
Me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në bashkëpunim me Rezervat Materiale të Shtetit po bëhet e mundur shpëndarja e ushqimeve për 431 familje në vështirësi në Bashkinë Shkodër, komunat Berdicë, Dajç dhe Ana e Malit.
Ndërsa me fondin prej 500 000 lekësh, të akorduara nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, kanë filluar punimet për të riparuar segmentin dytësor argjinatura e Torovicës-Ura e Gjo Lulit.
Sipas institucionit të prefektit në qarkun e Shkodrës gjatë së premtes ka një rritje të nivelit të ujërave me rreth 10 cm për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës. Si pasojë rrugët e Dajçit dhe rruga e Velipojës, tek ura e e Gjolulit janë të kalueshme vetëm nga mjetet e larta.