Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha sot se nuk do të legalizohet asnjë ndërtim i bërë pa leje gjatë periudhës së fushatës elektorale. Gjatë një takimi për çështjet e decentralizimit, Basha i kërkoi Inspektoratit Ndërtimor që të identifikojë këto ndërtime pa leje dhe të marrë masa të menjëhershme ndaj tyre.
“Është detyra juaj e parë të veproni në mënyrë energjike për të identifikuar çdo proces shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje. Që nga marrja e masave administrative siç janë gjobat e deri tek prishja e këtyre objekteve. Nuk do të ketë asnjë lloj procesi legalizimi për këto ndërtime dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët”, u shpreh Basha.
Basha tha se pranë çdo njësie bashkiake do të ngrihet një grup pune që do të bëjë të mundur kontrollin e territorit, ndërsa paralajmëroi se nuk mund të ketë asnjë lëshim në raport me ligjin.
“Decentralizimi është një instrument në shërbim të qytetarëve, i cili jep efekte pozitive sa herë që është bërë në mënyrë reale. Pranë çdo njësie do të ngrihet një grup pune e përbërë nga inspektorë dhe policë bashkiak, që do kontaktojë me kreun e njësisë dhe do të bëjë kontrollin e territorit. Drejtorët dhe inspektorët e njësive do të jenë në kontakt me krerët e minibashkive për kontrollin e territorit. Do të jem i përkushtuar që kjo mënyrë veprimi të funksionojë dhe të japë rezultate sa më pozitive. Decentralizimi është i suksesshëm vetëm kur kontrollohet çdo hap apo çdo kompetencë. Nuk ka vend për asnjë lëshim në raport me ligjin, nga ana e grupeve që do kontrollojnë territorin”, shtoi Basha.
po pse thua asnje legalizim, kur duhet te thuash do shemben e do mbajne pergjegjesi autoret e ketyre ndertimeve!!!
Basha je nje ‘lider’ i Tiranes qe nuk drejtohesh nga interesat e qytetareve ne teresi, por te atyre qe te intereson ty.
je NEGATIV koke e kembe.