Letër e nënshkruar
Pali Nito
Lulzim Basha, kryetar i bashkisë dhe njëherësh kryetar i PD-së dhe Eno Bozdo, që së fundmi u zgjodh edhe sekretar organizativ i PD-së, duke qenë në këto funksione të larta partiake, ka kohë që kanë braktisur detyrat e shumta të bashkisë së Tiranës. Të dy kanë lënë në mëshirë të fatit problematikat e shumta të bashkisë, që mesa duket e parandiejnë që në zgjedhjet e ardhshme lokale e kanë të humbur. Kanë shkëlqyer në mosbërjet e asgjëje dhe në mosmbajtjen e premtimeve. Për të qenë sa më i qartë me lexuesit po e ilustroj me dy shembuj të dukshëm e të prekshëm shqetësimin tim si qytetar: bie në sy prej kohesh mos-vizimi i rrugëve dhe kryqëzimeve me vija të bardha. Vijëzimi i rrugëve nuk është as luks dhe as salltanet, përkundrazi; është nevojë, disiplinë, rregull, kulturë. Është skandaloze dhe e turpshme të lihen në këtë gjendje rrugët dhe kryqëzimet e Tiranës. Pa dyshim që ka edhe fonde të specifikuara për këtë qëllim, që nuk dihet se në xhepat e kujt horri përfundojnë.
Problemi i dytë që më shqetëson është lënia në harresë për më shumë se dy dekada trotuari nga universiteti “Ufo”, prapa Muzeut Kombëtar që vazhdon deri te rruga e Durrësit dhe vazhdon më në jug deri te rruga e Kavajës. Unë do ta quaja pa mëdyshje këtë trotuar si krejt i harruar, i namun dhe i shpërfillur. Nëse zotërinjtë përgjegjës nuk duan të shohin, le ta lexojnë këtë mesazh shqetësues me shpresën e qytetarëve për të reflektuar e për t’u shkundur nga përgjegjësia dhe dembelia burokratike.