Ndonëse në kushte të pazakonta, përfaqësuesit e mazhorancës në Këshillin Bashkiak të Tiranës zhvilluan dje paradite mbledhjen jashtë radhe të këshillit, ku dhe votuan shkarkimin e kryetarit Njazi Kosovrasti. Mbledhja u shoqërua me konfrontime fizike, pasi u pengua nga policia bashkiake, e cila fillimisht pengoi hyrjen e këshilltarëve të majtë në ambientet e këshillit, më pas edhe të medias.
Në mungesë të 24 këshilltarëve të tjerë të Partisë Demokratike, anëtarët e mazhorancës aktuale në parlamentin vendor të kryeqytetit votuan me 31 vota Aldrin Dalipin që të udhëheqë mbledhjet e ardhshme të këshillit. Seanca e jashtëzakonshme nuk u zhvillua në sallën ku kryhen gjithmonë mbledhjet, por në një nga paradhomat e saj. Sipas këshilltarëve të majtë, gjatë orëve të natës së të enjtes janë ndërruar bravat e kësaj salle për të mos lejuar mbarëvajtjen e mbledhjes. Florian Pullazi dhe Gent Gazheli, dy këshilltarët e PS-së, thanë se mbledhja e këshillit bashkiak u kërkua brenda rregullave dhe kornizave ligjore.
Ata i kërkuan ndërkohë kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha, që të respektojë ligjin. Menjëherë pas marrjes së postit të ri, Aldrin Dalipi u shpreh se do të kryejë funksionin e tij në përputhje me interesat e qytetarëve. “Ftoj Bashën, jam i hapur për bashkëpunim me qytetarët”, tha ai. Mbledhjen e së premtes në këshillin bashkiak e kërkuan 31 këshilltarë të mazhorancës, çka tregon se mbledhja është zhvilluar brenda rregullave (duke qenë se ligji përcakton se një e treta e këshilltarëve kanë të drejtë të kërkojnë mbledhje jashtë radhe”.
Sipas Dalipit, në momentin që ka një mazhorancë të re në këshillin bashkiak, atëherë edhe drejtimi i këtij këshilli ndryshon. “I bëjmë thirrje kreut të Bashkisë së Tiranës të ruajë qetësinë, të zbatojë ligjin, të respektojë vullnetin e shumicës. Ezauruam të gjithë hapat ligjore për thirrjen e kësaj mbledhjeje. Kërkesën ia drejtuam zotit Kosovrasti, i cili shpërfilli kolegët e tij në Këshillin Bashkiak. Njoftimi për mbledhjen u bë që ditën e hënë. Ne u gjendëm përballë një fakti qesharak. Ajo që kërkuam dhe që na e jep ligji është një dhe vetëm një: në momentin që ka një shumicë të re, drejtimi i këshillit bashkiak të Tiranës ndryshon. Kjo jo për të bllokuar zotin Basha, por për t’i dhënë legjitimitet institucionit”, tha Dalipi.
Bashkia e Tiranës nga ana e saj sqaroi se mbledhja nuk ishte e ligjshme, pasi nuk ishte lajmëruar për një gjë të tillë. Verifikimi i shkarkimit të Kosovrastit dhe emërimit të Aldrin Dalipit në krye të këshillit i është përcjellë tashmë Prefektit. Ky i fundit brenda 10 ditëve i kthen përgjigje Këshillit Bashkiak.
Kallëzimi penal ndaj Lulzim Bashës
“Shumica e këshilltarëve në mbledhjen e grupit vendosi kallëzim penal ndaj Lulzim Bashës për pengesë të qëllimshme të këshilltarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Gjithashtu grupi i këshilltarëve dënon aktin e kryebashkiakut Basha për të penguar në mënyrë antikushtetuese median për t’u informuar për mbledhjen e këshillit, e cila ishte planifikuar të mbahej pikërisht në ditën e lirisë së medias. Akti i Lulzim Bashës duke bllokuar mediat me presionin e policisë bashkiake për të dhënë lajmin e Këshillit Bashkiak, është i dënueshëm”, u shpreh Dalipi.