Nuk janë gjetur gjurmë substancash të rrezikshme për shëndetin gjatë analizave të bëra në vendet anëtare të BE-së. Deklarata që ka lidhje me skandalin e mishit të kalit, i pranishëm në disa produkte me përbërje mishi vjen nga zëdhënësi i Komisariatit për Agrikulturën, Frederic Vincent. Reagimi i tij ka ardhur pas pikëpyetjeve të ngritura nga gazetarët në lidhje me efektet që mund të ketë në shëndetin e njeriut fenilbutazoni, një antiinflamator që u jepet kuajve, por është i ndaluar për njerëzit. Zëdhënësi ka theksuar se “nuk kemi të bëjmë me çështje që rrezikojnë shëndetin publik”.