Nuk kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu pasi plagosi për shkaqe pronësie me granatë vëllanë e tij, rikthehet në qendër të vëmendjes me një tjetër krim të rëndë në familje. Pasi kthehet i dehur në banesë, torturon për disa orë gjatë natës bashkëshorten e tij 42-vjeçare dhe ndërsa e ka lidhur këmbë e duar, e ka detyruar që të pijë një gotë verë, brenda të cilës kishte hedhur helmin e llojit fostoksinë. Krimi monstruoz ka ndodhur duke gdhirë dita e djeshme në Urën Vajgurore të Beratit, kur pas disa orësh trajtimi në Repartin e Patologjisë të spitalit ka ndërruar jetë nëna e dy fëmijëve Mimoza Zeqo. Dhe para se të jepte frymën e fundit, 42-vjeçarja i ka treguar gjithçka motrës së saj dhe policisë, se si bashkëshorti Tomor Zeqo, 45 vjeç, tashmë i arrestuar nga uniformat blu, e ka masakruar duke përdorur nga grushti, shkelmat dhe thika e bukës, deri tek fostoksina. Policia tha se Zeqo ishte një person problematik, me precedentë penalë, i arrestuar në vitin 2009 për plagosjen e të vëllait me granatë në një sherr pronësie dhe pas dënimit të gjykatës dhe vuajtjes së izolimit, prej pak muajsh ishte rikthyer në shtëpi pranë familjes dhe dy fëmijëve.
Zeqo u arrestua nën akuzën e krimit në familje dhe rrezikon mbi 30 vite burgim. E ndjera keqtrajtohej shpesh gjatë muajve të fundit nga bashkëshorti, por për hir të martesës dhe dy fëmijëve të mitur, nuk kishte bërë denoncim në polici, apo të kërkonte mbrojtje ligjore, edhe pse ishte këshilluar për këtë veprim nga të afërmit. Kurse 45-vjeçari njihej si një njeri i papunë, problematik, me shenja të theksuara xhelozie gjatë kohëve të fundit dhe konsumues i sasive të mëdha të alkoolit.
Dyshohet se edhe mbrëmjen e krimit Tomori ka qenë nën efektin e alkoolit, derisa i ka marrë jetën bashkëshortes. Mimoza ishte e vetmja që punonte dhe mbante familjen nga ana ekonomike nga të ardhurat që siguronte, por duket se pikërisht kthimi pas pune bëhej shkak edhe i sherreve në çift të përsëritura. Policia tha se shkak i krimit në familje është konsumi i madh i alkoolit nga i dyshuari, profili i tij problematik dhe ndoshta doza e xhelozisë pas daljes nga qelia.
Ekspertët mjeko-ligjorë, pas deklaratave të familjarëve dhe vetë viktimës para vdekjes, konfirmuan në autopsinë e kryer se kishte prezencë të helmit në stomak dhe gjak, të përzier me sasinë e alkoolit të përdorur nga i dyshuari për të vrarë bashkëshorten. Kurse në trup i janë gjetur thyerje kockore, trauma të rënda, goditje me mjete prerëse në kokë dhe hematoma. Policia bëri me dije se ka elemente të torturës ndaj viktimës, të verifikuara edhe nga këqyrja e trupit dhe në banesë, deri tek lidhja me litar dhe keqtrajtimi deri në vdekje. Në momentin e ngjarjes mësohet se fëmijët nuk gjendeshin në banesë, por tek të afërmit.
Rrëfimi i motrës, Rudina Xhafa: Mimoza më la amanet 2 fëmijët, burri e vrau
Rudina Xhafa është motra e Mimozës. Teksa shfaqet e shokuar pas lajmit të kobshëm për vdekjen e nënës së dy fëmijëve në spital, duke mos mbajtur dot dhimbjen ulëret dhe qan, duke kërkuar drejtësi për gjëmën e ndodhur. “E goditi me thikë në kokë, e rrahu, e torturoi gjithë natën dhe më pas i ka lidhur këmbë e duar. I ka futur një shkop në gojë dhe e ka detyruar të pijë fostoksinën”, rrëfen ajo për mediat çastet e tmerrit që ka përjetuar motra. Rrëfimi rrënqethës ka shokuar edhe policinë, që fillimisht dyshonte, por ekspertiza konfirmoi prezencën e helmit në trup. Vetë Mimoza ia ka rrëfyer skenën e krimit të motrës së saj nga shtrati i spitalit, para se të jepte frymë dhe që çoi në arrestimin e Tomor Zeqos. “Bisedova me motrën para se të vdiste. Në spital më tregoi çfarë torturash i bëri i shoqi. Më la amanet fëmijët. Ka dy fëmijë. Ma la me gojë, të kujdesem si një nënë për ta. Por, a do ia falin ata babait këtë që i bëri nënës?”, shprehet Rudina Xhafa. Ajo nuk di të shprehet për motivet e krimit, por e dinte se burri e keqtrajtonte vazhdimisht. Edhe fqinjët e familjes Zeqo pohojnë të njëjtën gjë, se dhuna në familje ishte e pranishme.
Denimin maksimal per dhunen ndaj gruas…. frika i mban te tere sus…
Do lirohet, do e nxjerrin te cmendur.