Kryeministri ka mbledhur sot krerët e PD-së në rrethe për t’u dhënë porositë në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit. Gjatë fjalës para krerëve lokalë të partisë së tij, Berisha u tha atyre se duhet të punojnë për një fitore të shkëlqyer në zgjedhjet e qershorit.
“Ju uroj një vit të mbarë me një fitore të shkëlqyer me 23 qershor, fitore e cila ka rendësi jetike vendimtare, për projektin Shqipëria vend i zhvilluar apo projekti i Shqipërisë së zhvilluar evropiane. Fushata elektorale ka nisur që më datën 10 shtator, ajo po zhvillohet në shumë plane, në mënyrë që 23 qershori, të jetë një 22 mars i vërtetë. Dhe sado që 22 marsin dhe 23 qershorin e ndajnë 21 vite, ato do mateshin me ëndrrat e realizuara, me ëndrrat e bëra të vërteta, të shtruara në realitet me projekte, të suksesshme të ndryshimit të Shqipërisë, me misioni e forcës politike që u themelua 22 vjet më parë, këto dy data të duken binjake në aspirata ideale ndaj dhe do bëjmë gjithçka që me 23 qershor, të realizojmë fitoren që presin shqiptarët. Fitoren e shkëlqyer të PD-së si një forcë politike që në këto 22 vjet ka pasur dhe shënuar sukseset më të mëdha, transformimet më të thella, arritjet më historike se çdo forcë tjetër politike e themeluar pas rones së perdes së hekurt në Evropën ish-komuniste”, theksoi Berisha.