Deklaratave të ditëve të fundit nga selia blu për pallatin e zonjës Rama u është bashkuar sot edhe kryeministri Berisha, nëpërmjet Facebook-ut. Në një postim pas mesditës, Berisha thotë se kreu socialist nuk bëri transparencë në konferencën e djeshme për shtyp. Ashtu siç e ka zakon, Berisha e ilustroi idenë me një episod, që nuk dihet nëse ka ndodhur apo jo.
“Të dashur miq, zoti Rama thotë “PRIT PUBLIK SA TË PIQEN FIQTË”.
Dje publiku priste nga zoti Rama transparencë për atë që mediat e kanë quajtur “pallati në pajë”, një investim ky nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar, me vlerë rreth 2 milionë euro, ndërtuar në kundërshtim me ligjin nga familja e zonjës Linda Basha, në lulishte, shesh midis pallateve, me dy leje ndërtimi që mbajnë firmën e z. Rama.
Mirepo pyetjes për “pallatin në pajë”, zoti Edi Rama iu përgjigj me “transparencë” të madhe! Ai tha se shpifësit meritojnë përçmim, ndërsa publiku ka të drejtë të sqarohet. Pyetjes se kur do ta sqaronte publikun, zoti Rama iu përgjigj thjesht: kur te dua unë. Gazetari nën zë i tha kolegut pranë tij se kjo është transparenca alla Rama, prit publik sa te piqen fiqtë dhe se, me siguri, radhën e ardhshme ky do na thotë se “pallati në pajë” nuk është problemi i Shqipërisë, pikërisht ashtu siç tha ai për Barjabën para një jave. Mirëpo, pallati edhe futet në pajë, por në thes jo – vazhdoi gazetari i zhgënjyer nga përgjigja e kryetarit të PS-së! – sb”, shkruan Berisha.