Kryeministri Berisha komenton në Facebook qëndrimin e socialistëve në lidhje me shpërndarjen e mandateve sipas skemës së zgjedhjeve të 2009-s. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shprehet se qëndrimi i deputetëve të opozitës dhe vetë zotit Rama është një justifikim për humbjen në zgjedhjet e qershorit.
“Të dashur miq!
Z.Rama socialistëve: NUK MË DUHET GJË SE ÇFARË THEM UNË!
Dy muaj më parë, bazuar në ndryshimet demografike të 4 viteve të fundit, KQZ votoi projektin e shpërndarjes së mandateve, sipas të cilit qarqet e Tiranës dhe Durrësit duhet të merrnin nga një mandat nga Korça dhe Berati. Z Rama e hodhi poshtë projektin dhe akuzoi qeverinë për tentativë për vjedhje mandatesh para zgjedhjeve. Ai kërkoi Komision Hetimor si dhe shkarkimin e Ministrit të Brendshëm për manipulim, sipas tij, të listave të zgjedhësve në Kukës.
Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve i propozoi Parlamentit shpërndarjen e mandateve sipas vitit 2009. Mirëpo edhe këtë herë, i bazuar në parimin “ç’më duhet mua se ç’them unë”, z.Rama e kundërshtoi këtë dhe befas kërkoi të miratohet varianti i mëparshëm i paraqitur në KQZ nga Ministria e Brendshme, të cilin e kishte hedhur poshtë, sepse me të i vidheshin mandatet. Ai e bëri këtë, sepse i duhet për të justifikuar humbjen e ardhshme të zgjedhjeve.
Kur njëri nga vartësit e pyeti se ç’po ndodhte kështu, z.Rama u përgjigj prerë: “Nuk më duhet gjë se çfarë them unë” – sb”, shkruan Berisha.