Besart Berisha do të bashkohet me Melbourne Victory në përfundim të këtij sezoni, pas tre vjetësh të suksesshëm te Brisbane Roar, me të cilën fitoi dy tituj. Sulmuesi kosovar ka shpjeguar se zgjedhja e tij nuk ka të bëjë me paratë, edhe pse në klubin e ri do të fitojë dyfish. “Është një ofertë e mirë për mua dhe familjen, por paraja nuk është aq e rëndësishme. Unë dua të fitoj tituj. Nuk po shkoj për pará. Do të doja një sfidë të re, nëse mundem ta bëj këtë me një klub tjetër”, deklaroi 28-vjeçari për shtypin australian. Berisha ka premtuar të japë gjithçka për Brisbane deri në fund të këtij sezoni dhe të ndahet si kampion, duke fituar titullin e tretë për të dhe për skuadrën.