Pdl-ja e Berlusconit votoi në favor të votëbesimit të qeverisë Letta, pavarësisht se fillimisht kishte vendosur të kundërtën. Megjithatë një grup parlamentarësh të partisë së tij, me në krye zv/kryeministrin Angelino Alfano, kanë vendosur të largohen prej Kavalierit
“Italianët na bërtasin dëshirën për ndryshim ndërsa Italia cenohet nga një rrezik që mund të jetë fatal. Nga ne varet shmangia e këtij risku, nga zgjedhjet që do të bëjmë, nga një po ose jo… Ky votëbesim nuk është kundër dikujt, por për Italinë dhe italianët”. Ky ishte apeli me të cilin kryeministri Enrico Letta mbylli fjalimin e tij 50-minutësh për t’i kërkuar Senatit mbështetjen ndaj qeverisë, shoqëruar me një citim final të Benedeto Kroçes: “Secili nga ne, tani të tërhiqet në ndërgjegjen e tij të thellë dhe të kujdeset që të mos përgatisë me votën e tij të pamedituar, një keqardhje të hidhur dhe të turpshme”.
Mëngjesin e së mërkurës qeveria e tij arriti të fitonte besimin e Senatit me 235 vota në favor, 70 kundër dhe asnjë abstenim. Të gjitha forcat politike e kanë mbështetur qeverinë dhe ky është rezultati i parë i debatit politik që u zhvillua në parlamentin italian.
Letta kërkoi votëbesimin duke përshkruar një program të gjerë dhe ambicioz, duke konsideruar edhe vështirësitë e qeverisjes deri në këtë moment. Gjatë fjalës së tij, ai foli mbi situatën ekonomike në vend dhe i mëshoi faktit që të dhënat e tremujorit të fundit tregojnë për daljen e Italisë nga kriza. Kërkoi që puna e bërë deri tani të mos minohej nga një vendim i paarsyeshëm. Ai nuk pranoi dorëheqjet e ofruara të shtunën nga një pjesë e ministrave.
Dhe kështu pas zhvillimeve të fundit historike dhe dramatike, ku partia e Berlusconit në koalicionin qeverisës, u përpoq ta rrëzonte atë dhe të shkonte në zgjedhje paraprake, qeveria aktuale u forcua brenda një dite me një skenar që pak ishte imagjinuar.
U hodhën në erë planet e Kavalierit? Gjërat janë më të ndërlikuara nga sa duken. Përfundimi i votimit në Senat deri një javë më parë as nuk ishte menduar. Gjatë ditëve të fundit, Berlusconi kishte thënë se do të votonte kundër qeverisë Letta dhe mëngjesin e së mërkurës, vetë grupi parlamentar i Pdl-së kishte rënë dakord. Pavarësisht kësaj, rreth orës 13:00, vetë Berlusconi ndërhyri në sallën e parlamentit duke shpallur të kundërtën: ai njoftoi se do të mbështeste qeverinë Letta dhe se kishin nisur procedurat për shndërrimin e partisë së tij Popolo della Liberta në një“Forza Italia” të re.
Pas ndërhyrjes së Berlusconit, disa senatorë të tij i dolën kundër, duke votuar kundër votëbesimit të qeverisë.
Situata e ndërlikuar dhe e menjëhershme i detyrohet faktit që një grup parlamentarësh të Pdl-së, të drejtuar nga zv/kryeministri Anxhelino Alfano (25 të tillë vetëm në Senat) lajmëroi qëllimin për të dalë nga Pdl-ja dhe për të votuar pro besimit të qeverisë, pavarësisht vendimeve të Berlusconit. Kush përpiqet që të kuptojë diçka thotë se në vend që të humbasë ndikimin dhe fuqinë e tij, Berlusconi ka vendosur në minutën e fundit që të ndjekë Alfanon (të cilin “il Giornale” e cilësonte “tradhtar”), të paktën për momentin.
Motivi parësor që e nxiti Berlusconin të kërkonte votëbesimin e qeverisë lidhej me çështjen e rrëzimit të tij nga posti i senatorit. Nëse qeveria do të shkrihej, vendimi i juntës në Senat më 4 tetor, mbi fatin e tij politik do të ndërpritej.
Do të jetë interesante të shohim se si do të jetë fundi i Silvio Berlusconit, tani që mbijetesa e qeverisë nuk vihet më në diskutim./D.Gjuzi
Saktë!Berluskoni bëri autogol!Deputete të emancipuar dhe plotsisht të lirë, në koshjencën politike(26) e braktisën atë duke konsoiduar Enrico Letten,kryeministër! Rreziku i vërtet që shfaqej me rënien e Lettës ishte M5S(Levizja 5 Yjet me arbiter Beppe Grillo)që është deklaruar se ” me partitë kriminale dhe NJESHAT e tyre të vdekur që ecin,nuk bën kualicion) M5S ka deklaruar se kunder të korruptuareve, mafjes, dhe shkaktarëve të varfetisë se Italisë, do të bëjnë Revolucionin francez,pa gijotinën, dhe duke zhdukur partitë politike do bëjnë demokracinë e drejtperdrejtë, duke vën në eficence të Sovranit,revolucionin Web! Kjo Levizje imponon rezistencë e bashkveprim të partive politike, të cilave u rrezikohen jo vetëm pasuritë, por dhe jeta politike!..