Kryetari i Pdl-së iu drejtohet mbështetësve të tij në Facebook: “Rrini të qetë, unë nuk dorëzohem”. Disa prej përfaqësuesve kryesorë të kësaj partie shprehen se nëse Pd-ja do të votojë për heqjen e mandatit të senatorit Berlusconit, do të jetë e pamundur të vazhdohet me bashkëqeverisjen
Silvio Berlusconi ka hedhur poshtë zërat për largimin nga partia e tij, “Popolo della liberta”, dhe për një pasardhës të mundshëm të tij. Ai ka lëshuar një mesazh të qartë drejtuar militantëve, por edhe atyre që hidhnin hipoteza se kishte kaluar koha e lidershipit të tij. “Rrini të qetë se nuk iki, do të mbetem në krye të qendrës së djathtë. Do të punoj deri në fund për interesin e vendit dhe të italianëve. Nuk do t’ju turpëroj absolutisht. Le të përgatitemi për më të mirën” dhe në pak orë komentet në rrjet ishin me mijëra. Kishte nga të gjitha llojet, nga fansat që me elozhe e ftonin ish-kryeministrin të vazhdonte përpara deri te kritikuesit që shkruanin: “Ti e ke vendin në burg”, apo “mos e dëgjoni Berlusconin, nuk ka pasur kurrë asgjë të sinqertë në secilën deklaratë të tij”.
Ndërkohë përndizet ndeshja mbi heqjen e mandatit të senatorit ndaj Kavalierit. Dhe Pdl-ja këmbëngul mbi dënimin politik përfundimtar për çështjen e të drejta televizive. Për senatorin e Pdl-së, Osvaldo Napoli, “nuk ndihmon aspak përsëritja e historisë së vjetër sipas së cilës çështja e Berlusconit nuk duhet të trajtohet e lidhur me çështjen e qeverisë”. “Në arsyetimin e Pd-së, ka një mbingarkesë hipokrizie që rrezikon të peshojë mbi stabilitetin e ekzekutivit. Ajo e Berlusconit është një çështje gjyqësore dhe si e tillë duhet të trajtohet sigurisht si personale”.
Por, për senatorin e Pd-së, Giorgio Tonini, “Ftesa për thellime e Pdl-së duhet pranuar, me kusht që kolegët të reflektojnë dallimin mes çështjeve gjyqësore të Berlusconit dhe aktivitetit të qeverisë”. Ndërsa për ministrin Zanonato: “Vendimet e gjykatës respektohen, i kuptojmë vështirësitë e Pdl-së por ka akte të detyrueshme të cilave parlamenti nuk mund t’u bëjë bisht”.
Fajkojtë e Pdl shpallin fitoren: “Berlusconi është, që magjistratë të cilët nuk janë zgjedhur nga populli dhe nxorën një vendim politik, nuk mund të nxjerrin jashtë loje liderin e qendrës së djathtë”, shprehet për Daniela Santanché, parlamentare e Pdl-së, njëkohësisht nënkryetare e Dhomës së Deputetëve. Santanché kritikon edhe komunikatën e publikuar më 13 gusht nga presidenti Giorgio Napolitano. “Më duket e papranueshme. Midis atyre radhëve shkruhet se Berlusconi duhet të pranojë vendimin dhe të mënjanohet, të heqë dorë nga posti i senatorit. Të gjitha gjëra që nuk i prisja nga “arbitri i vendit”. Sepse si rol, ai i presidentit është që të mundësojë respektimin e rregullave të shkruara nga Kushtetuta jonë. Prandaj për mua është një shënim i papranueshëm dhe dramatik për demokracinë”.
Mbi raportet me Pd-në
“Nuk mund të qëndrojmë në një qeveri me ekzekutuesit tanë. Është e dukshme që nëse Pd-ja do ta japë atë votë në komisionin e 9 shtatorit (i referohet heqjes së mandatit të senatorit Berlusconit) ata do të shfaqin mungesë dinjiteti. Ne të gjithë jemi Silvio Berlusconi. Nëse ne jemi kriminelë, evazorë dhe burgaxhinj, duhet të marrin përsipër pasojat”, shton Santanché.
Çfarë do të bëjë tani Berlusconi?
“Jam e sigurt se nuk do të shkojë i përulur te Giorgio Napolitano, nuk do të kërkojë mëshirë, nuk do t’u besohet shërbimeve sociale dhe nuk do të vuajë dënimin me arrest shtëpie. Kam guximin të them se e njoh njeriun Berlusconi, rrugëtimin e jetës së tij, dhe jam e bindur që ky fund i palavdishëm nuk do të jetë ai i Silvio Berlusconit”, përfundon Santanché./ D.Gjuzi