Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim së bashku me Bankën Aziatike të Zhvillimit do të financojnë projektin e gazsjellësit TAP dhe TANAP me një miliardë dollarë. Qëllimi është krijimi i lehtësive të shumta për mbështetjen e bizneseve operuese dhe sigurimin e furnizimit të Europës Qendrore me gazin azer.
Fondi fillestar do të jetë 500 milionë dollarë që do të jepet në formën e kredive me terma të lehtë nga këto dy banka, ndërsa 60 milionë dollarë do të jepen nga Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim. Fondi do të mbështesë operacionet e shumta në fushën e gazit Shah Deniz II, burimet e të cilës do të përdoren për të transportuar gazin në Europë.
Kompanitë që do të përfitojnë mbështetjen fillestare janë ato që kanë në pronësi këto fusha, konsorciumi shtetëror azer i naftës dhe gazit “SOCAR”, kompania “LUKOIL” si edhe gjiganti britanik “BP”. Na faqen e saj zyrtare BERZH citon se, nga analizat e kryera, është marrë një vendim që pritet të jetë fitimprurës si për vetë institucionin ashtu edhe për subjektet e shumta të përfshira në këtë operacion, pasi vendet e Europës Qendrore dhe Jugore janë të varura nga furnizimi me gaz dhe karbon.
Investimi total që po kryhet në fushën e Shah Deniz II pritet të arrijë në 47 miliardë dollarë, ndërsa prodhimi do të nisë në vitin 2018. Një vit më pas është parashikuar të hetë funksional edhe gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili do të lidhet me gazsjellësin TANAP për të transportuar gazin nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë në Itali. Italia nga ana tjetër po sheh të gjitha mundësitë për gjetjen e financimeve që do të dyfishojnë kapacitetet transportuese të gazsjellësit TAP që në fazën e parë të operimit të tij. Një tregues ky i rëndësisë së madhe që ka gazsjellësi për vendet europiane.