Kuptohet se në momentin e parë që flitet për funksione të larta shtetërore, duhet më së pari të dimë se gjithçka që “gatuhet” nga politika do jetë ushqim për vetë sistemin, të cilit i përmbahemi , e që është Demo-kracia. Si janë zgjedhur e si janë trajtuar këto funksionarë e vetë këto institucione këto 8 vite? Rezultati është tashmë i dukshëm edhe për më të verbërit nga militantizmi: Kemi sot titullarë institucionesh të larta të shtetit që janë në koherencë të plotë me paligjshmërinë e vulgaritetin. Mjafton zgjedhja e Presidentit, për të cilin janë bërë e bëhen analiza të ndryshme, por u harrua, më e thjeshta: ajo zgjedhje është një tjetër kontradiktë me Kushtetutën (sipas saj Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit). Mirëpo babëzia për pushtet e gjithëkontroll është e papërmbajtshme në rastin tonë. E pas kësaj qëndron i panginjur oreksi i një njeriu të vetëm për të kontrolluar gjithçka.
Pas masakrës së 21 janarit të tmerrshëm, ku liria u vra në shesh, i cili është tempulli i saj, Berisha doli hapur kundër POPULLIT e pastaj kundër Opozitës, kundër Prokurorit të Përgjithshëm, Presidentit të Republikës, etj. Vijoi më tej maratona e presidentit të ri që në fakt pas vetes fshihte dhe kryeprokurorin e ri dhe kreun e ri të SHISH. Ishte një turp tek shihje plotësimin e fjalëkryqit President = Kryeprokuror që me tej sjell: Pushtet absolut. President zgjodhi atë që kish më të urtin, më të pazëshmin, me besnikun, tamam ashtu siç do i duhej. Këtë radhë me kujdes ai bëri këtë batërdi, duke gatuar një tjetër çorbë shkatërruese për demokracinë e vendin, por të sigurt për arritjen e gjithëpushtetit. Qasjet e tija ektremiste ndaj kujtdo që i del kundra ose, i cili tenton te zbatojë Kushtetutën, janë të qarta e fyese. Uzurpimi i çdo pike kyçe që më tej do të çojë në shkatërrimin e shtetit (do ishte e dyta herë pas 97-s – e pafalshme, kjo për të gjithë ne si shoqëri) ishte dhe është destinacioni përfundimtar i tij. Ne gatuajmë çorba të pështira. Sërish mbetëm fëmijë që duhet të na marrin përdore të na tregojnë rrugën. Edhe pasi mbushëm plot 100 vjeç, akoma s’jemi ngritur të ecim.
Opinion i nënshkruar: Flogert Muça