Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat gjashtë mujore të tregtisë tonë. Ndënëse lëvizja mujore është në kah pozitiv, gjysma e parë e vitit nuk ka qenë në parametrat e pritshëm. Importet kanë përshpejtuar ritmet e rënies, duke u tkurrur me 1.2% për 6 mujorin. E kombinuar kjo me rënien e eksporteve ky është një tregues i ngadalësimit të aktivitetit të tregtisë në vend. Sipas të dhënave të INSTAT, importet në total për 6 mujorin e parë ishin 255 miliardë lekë, me një rënie prej 1.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupi kryesor që ka ndikuar në këtë rënie është ai i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, kryesisht si rrjedhojë e importeve më të ulëta të energjisë, për shkak të rritjes së prodhimit vendas. Importet e makinerive e pajisjeve janë rritur me 15% në 52 miliardë lekë, një sinjal gjithsesi pozitiv ky i gjallërimit të investimeve, kryesisht nga projektet e mëdha në energji. Ndërsa importet e materialeve të ndërtimit, një tjetër tregues ky i investimeve në ekonomi ranë me 0.5% me bazë vjetore për 6 mujorin. Importet e “ushqimeve, pijeve dhe duhan” janë grupi i dytë më i madh i importuar në vend dhe janë rritur me 5.6% në 45.6 miliardë lekë për janar-qershor 2015. Importet e produkteve kimike dhe plastike, grupi i tretë më i importuar në vend u rritën me 6.2% në 37.1 mld lekë. Importet e tekstileve e këpucëve, që janë një sinjalizues i hershëm i ecurisë së eksporteve të tekstileve e këpucëve (që punojnë me material porositësi dhe janë të varura nga importet e këtij grupi) shënuan një rritje prej 5.1%, duke treguar për një ecuri më të mirë të eksporteve të tekstileve e këpucëve, pas rënies në muajt e parë të vitit. Në fakt, rimëkëmbja e eksporteve të këtij grupi nisi që në qershor.
Eksportet tkurren 2.3% për 6 mujorin
Për periudhën janar-qershor, totali i eksporteve arriti në 126 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 2.3% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, ndërkohë që tekstilet e këpucët kanë frenuar rënien. Tre grupet që po shënojnë rritje të lartë (ndonëse nisur nga një bazë e vogël) janë “makineri dhe pjesë këmbimi”, “ushqime, pije e duhan” dhe “produkte kimike dhe plastike”. Gjithsesi, për shkak të performancës së mirë të qershorit, ku eksportet u rritën 5.8% me bazë vjetore, ritmet e rënies për 6 mujorin janë ngadalësuar ndjeshëm (për periudhën janar-maj 2015, eksportet ranë me 4.1% me bazë vjetore). Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 21.7% për 6 mujorin në 36.9 miliardë lekë. Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë ndalur tendencën rënëse, duke u rritur lehtë me 1% me bazë vjetore për 6 mujorin, duke arritur në 43.7 miliardë lekë. Vitin e kaluar, kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n. Grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, vijon performancën pozitive, ndonëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar. Eksportet e këtij grupi janë zgjeruar me 9.6%, në gati 20 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e performancës së mirë të gizës dhe çelikut. Pas një stanjacioni muajt e parë të vitit, për shkak të përmbytjeve, eksportet e “ushqimeve, pijeve e duhanit” pothuajse u dyfishuan në qershor. Për 6 mujorin, ky grup u rrit me 29% në 9.3 miliardë lekë. Një tjetër grup që ka pasur ecuri të mirë këtë vit (ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël) është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 55% në 6.4 miliardë lekë, si rrjedhojë e gjallërimit të kompanive të fasonit industrial (pjesëve elektrike), duke shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute nga të gjitha grupet. Sipas grupmallrave, tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar me 35%, minerale lëndë djegëse dhe energji me 29%, material ndërtimi dhe metale me 16%, ushqimet 7% dhe grupet e tjera luhaten nën 7%. Deficiti tregtar për 6 mujorin 2015 ishte 128 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel të së njëjtës periudhë të një viti më parë, kjo sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
RROFTE RILINDJA E EKONOMISE.
HANI LESHTE E EDIT TANI, O POPULL, JO PER GJE POR E VOTUAT ME 80%.