83 për qind është totali i të punësuarve në sektorin privat për vitin 2013, por kontributi në skemën e sigurimeve është i zhdrejtë në raport me ata që punojnë në sektorin publik. Konfirmimi vjen nga Open Data Albania e cila po hulumton mbi peshën që kanë sektorët publik dhe privat në punësim sikurse në të ardhura nga puna që sektorë përkatës gjenerojnë, periudha 2009 – 2013. Mesatarja vjetore e të punësuarve në total për të dy sektorët është 932 815 persona. Sipas sektorëve 165 210 është mesatarja vjetore e të punësuarve në sektorin publik dhe 768 490 të punësuar në sektorin privat. Pra sipas studimit peshën më të madhe ndaj totalit e zënë të punësuarit në sektorin privatm, duke u rritur nga vitit në vit. Kështu në vitin 2013-ën numri i të punësuarve në sektorin privat shënon 83 për qind të totalit të të punësuarve. Pesha që zë punësimi në sektorin publik është në rënie, dhe në vitin e fundit shënonte 17 për qind të punësimit.
Si është raporti mes punësimit dhe të ardhurave personale të deklaruara?
Për të bërë një kategorizim sa më të qartë të nivelit të kontributit në skemën e sigurimeve mes sektorëve atij publik dhe privat, studimi ka vlerësuar rolin që ka punësimi tek secili sektor tek pesha që zë Tatimi nga të Ardhurat Personale për pagat. Sektori privat mban 83 për qind të totalit të të punësuarve kundrejt 17 për qind që mban sektori publik në vitin 2013. Por raporti është i zhdrejtë sa i takon peshës që ka Tatimi nga të Ardhurat Personale në secilin sektor. Konkretisht sektori publik gjeneron 51.9 për qind të totalit të tatimit mbi të ardhurat personale nga pagat kundrejt 48.1 për qind të sektorit privat. Thënë me fjalë të thjeshta numri i personave që punojnë në sektorin publik buxhetor është rreth katër herë më pak se privati, por pagat e deklaruara nga secili sektor janë në vlerë të përafërt. Kjo tregon pagesa të ulta apo evazion dhe mosdeklarim tatimor për pagat në sektorin privat. Është evidente që ngarkesën më të madhe fiskale e kanë punonjësit në sektorin publik, të cilët paguajnë rreth 5 herë më shumë se punonjësit në sektorin privat. Ky element referon gjenerimin e ulët të të ardhurave të deklaruara në sektorin privat kundrejt atij shtetëror, duke sjellë në vëmendje dhe një dukuri tjetër, atë të numrit të ulët të konntribuesve me të punësuarve, duke e dështuar skemën aktuale të pensioneve që aplikohet në vendin tonë.