30 milionë lekë të vjetra janë grabitur në banesën e një biznesmeni në Tiranë, ndërsa në shtëpi ndodheshin fëmijët e tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona pranë shkollës “Vasil Shanto”, në banesën e biznesmenit Baci Yzeiri.
Dy persona të pamaskuar kanë hyrë në shtëpinë e biznesmenti, të pajisur me një çantë sportive, brenda së cilës kishin armën e zjarrit.
Djali i madh i shtëpisë, 14 vjeç, ka hapur derën dhe grabitësit e kanë shtyrë me forcë brenda duke i drejtuar armën atij së bashku me të motrën 12 vjeçare.
Nën kërcënimin e armës djali ka treguar se ku prindërit mbanin paratë, dhe pasi autorët kanë marrë shumën e gjetur, janë larguar.
“Kam përshtypjen që më kanë ndjekur këmba-këmbës. Ata kanë pasur njohje rreth biznesit tim, duke u dhënë mundësi që të krijojnë plane për grabitjen e banesës. Edhe mbrëmjen e së hënës ata kanë survejuar lëvizjen time. Kam përshtypjen se e kanë ditur që në banesë nuk kam qenë as unë, as bashkëshortja ime. Fëmijët më janë terrorizuar kur kanë parë një gjë të tillë. Gjithsesi nuk dua ta zmadhoj më shumë këtë, pasi kam ia kam lënë në dorë policisë gjetjen e autorëve”, ka pohuar Yzeiri për gazetën Shqip.