Sep Blater ka reaguar pas kritikave të Rivaldos, duke thënë se Brazili do të organizojë një botëror të mrekullueshëm. Ish-kampioni i botës u shpreh se vendi i tij nuk është në gjendje të organizojë siç duhet këtë ngjarje kaq të madhe, por presidenti i FIFA-s përpiqet të kthejë optimizmin. “Brazili është vendi i futbollit dhe nuk ka asnjë vend tjetër në botë që mund të flasë më mirë për futbollin”, thotë Blater. “Jam i bindur se do të kemi një kampionat botëror të bukur e të suksesshëm. Mbeten edhe disa muaj deri në fillimin e tij dhe nëse do të duhet të rregullojmë diçka, patjetër që do ta bëjmë. Jam mësuar me Kupat e Botës, nuk ka vend për probleme, gjithçka në fund do të jetë në rregull”. Duke komentuar takimin me presidenten e vendit, Dilma Rusef, Blater tha se kampionati botëror është ngjarja ideale për të promovuar paqen dhe për të luftuar diskriminimin e racizmin. “Duhet të përfitojmë nga fakti që ky botëror do të zhvillohet në Brazil, për të ndërmarrë një fushatë të fuqishme kundër racizmit dhe diskriminimit. Duhet të krijojmë kushtet që në këtë vend të zhvillohet edhe futbolli për femra”.