Prej muajsh të tërë kanë mbaruar studimet e larta në specialitete të ndryshme mjekësore, por nuk janë pajisur ende me diplomën universitare. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 1000 studentë të Universitetit të Mjekësisë, të cilët ende nuk kanë mundur të marrin në dorë diplomën, me anë të cilës mund të fillojnë kërkimet për gjetjen e një alternative punësimi apo kualifikimi të mëtejshëm. Studentët e Universitetit të Mjekësisë pohojnë se prej gati 9 muajsh janë në pritje të marrjes së diplomës, teksa ende nuk e dinë dhe se sa do të zgjasë pritja e tyre, pasi në fakultet u thuhet se ende nuk janë gati. Kundrejt kësaj situate studentët kanë nënshkruar mëngjesin e ditës së djeshme një peticion, nëpërmjet të cilit i kërkojnë ndihmë kryeministrit Edi Rama, që Universiteti dhe Ministrisë së Arsimit të gjejnë një zgjidhje rreth problematikës së tyre. Kjo pasi në mungesë të diplomës ata jo vetëm që nuk mund të aplikojnë për të gjetur një mundësi punësimi, por as të ndjekin kualifikime të ndryshme rreth profesionit të tyre, veçanërisht ato të ofruara jashtë vendit. “Diploma,- thotë rektorati i Universitetit të Mjekësisë,- është për miratim në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Në ministri na presin me buzë në gaz, çdo muaj, me ose pa prezencën e dekanëve tanë, – do t’i bëjmë shumë shpejt,- na thonë, por përveç se buzëqeshjeve, asgjë tjetër nuk kemi parë”, thuhet në peticionin e studentëve. Në peticion ata i kërkuan Rektoratit të Universitetit, dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të shqyrtojë kërkesën e tyre, për pajisjen sa më shpejtë me diplomë. Kjo pasi një pjesë e mirë e studentëve po bëhen peng i vonesave burokratike duke humbur kështu mundësitë për të vijuar ndjekjen e studimeve pasuniversitare në një nga universitetet e huaja. Duke u ndalur në Ligjin e Arsimit të Lartë sqarohet se afati që studentët kanë për të marrë në dorëzim diplomën është deri në gjashtë muaj nga dita e mbrojtjes së temës së diplomës. Afat ky që është tejkaluar për studentët e mjekësisë. Aktualisht as ministria dhe as rektorati nuk kanë reaguar sa i takon kohës në të cilën do të nisë ndarja e këtyre diplomave. E në rast se do të vijojë po kjo situatë, studentët pohojnë se do të dalin në protestë, teksa në mbështetje të tyre pozicionohen edhe studentët e viteve të tjera të Universitetit të Mjekësisë.