Ministria e Financave dhe drejtoritë që ajo ka nën mbikëqyrje bënë dje analizën e ditëve që kanë marrë në menaxhimin e tyre financat e këtij vendi. Duket një bilanc pozitiv në tërësi, edhe pse u gjet një thesar gropë, një borxh publik i rritur dhe më shumë se 720 milionë dollarë borxhe biznesit të akumuluar në vite për punët publike të kryera dhe të pashlyera nga qeveria e kaluar. Por dje kreu i Ministrisë së Financave nuk është ndalur shumë në atë çka gjeti, por çka është bërë dhe çpritet të bëhet në një periudhë afatshkurtër. Pjesa më e qenësishme e fjalës së tij ishte kthimi i borxhit ndaj biznesit, duke e parë këtë të fundit si një mundësi të mirë për të çliruar tregun e zënë ngërç. Edhe pse për këtë fakt qeveria shqiptare u detyrua të marrë një borxh të majmë nga institucionet e huaja financiare, sërish shihet si një mundësi e mirë për të kthyer besimin në biznes dhe për t’ju dhënë mundësinë të zgjerojnë investimin e tyre, apo të çlirojnë pengjet e lëna në banka për shkak të kreditimit.
Po çfarë renditi dje Ministri?
Tre janë pikat kryesore që sipas Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, duhet fokusuar në periudhën në vazhdim, duke vlerësuar njëkohësisht atë çka është bërë deri tani, por në kërkim të një të mire të mëtejshme. “Kemi rritur besimin te biznesi, tek ekonomia, qeverisja dhe rezultatet e kanë justifikuar. Por, kurrsesi ne nuk duhet të kënaqemi me pak. Shumë më tepër detyra na presin”, u shpreh Cani. “Janë tre nivele ku ne do të fokusojmë punën tonë të ardhshme: E para, thellimi i luftës kundër evazionit fiskal, kontrabadës dhe korrupsionit. Është një retorikë, por nuk ka arritur aty ku duhet. Kërkon qasje të re. Vendosmëria do të jetë parimi i parë. Do të bazohemi te teknologjia e informacionit dhe transparenca. E dyta, efikasiteti i përdorimit të parasë publike sepse kështu do të mund të kursehet sa më shumë. Të realizosh të ardhura dhe t’i përdorësh mirë ato. Dhe treta ka të bëjë me stabilitetin fiskal ku edhe në këtë rast do të kemi në fokus trasparencën dhe llogaridhënien. Jemi përballë sfidave të ndryshimeve legjislative, kryesisht në audit dhe kontroll brenda 300 ditëve të ardhshme”, cilësoi numri një i financave shqiptare. Lidhur me stabilitetin ekonomik, Cani theksoi se ka arritje, por ka tregues që kërkojnë performancë më të mirë. Duke u ndalur te borxhi i kthyer për biznesin, Cani u shpreh se “gjysma e borxhit është shlyer, por diku nga maj – qershori i 2015-ës do të bëjmë shlyerjen e plotë. Ka spekticizëm, por është detyrim i shtetit sepse ishin të mbartura dhe ishin mbajtur padrejtësisht biznesit. Në gjysmën e dytë do të nisë edhe kreditimi që do të thotë më shumë punë dhe më shumë”. Po kështu sipas tij ulja e borxhit është në përmirësim cilësor. “300 ditët e para janë stacioni i parë, një hap për të marrë pak frymë dhe me përvojën e krijuar për të ecur më mirë në vazhdim drejt sfidave të reja, në rrugën tonë, që nuk janë të lehta, por kërkojnë reformë tërësore”, tha kreu i Financave. Pjesë e analizës së financave ishin dhe dy drejtoritë më të rëndësishme që fusin të ardhura në buxhet, ajo e tatimeve dhe e doganeve. Drejtoresha e Tatimeve, Briseida Shehaj tha se është realizuar një reformë e thellë në administratë. “Në buxhet u derdhën 126 miliardë lekë nga tatimet për 6 mujorin ose 14% më shumë se e njëtja periudhë e një viti më parë. Të ardhurat nga TVSH-ja u rritën me 27%, ndërsa nga tatim fitimi 17%. Kemi luftuar evazionin. Ndryshim rrënjësor i sistemit informatik”, ishin disa shifra të renditura prej saj dhe që muaj pas muaji janë bërë të qarta dhe për publikin. Ndrësa për drejtoreshën e përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali kjo nuk është një paradë arritjesh, por tentativë për transparencë dhe llogaridhënie. Sipas saj tashmë është tejkaluar gjendja e rëndë e Financave dhe po shkohet drejt konsolidimit. “Të ardhurat në buxhet janë rritur me 13% ose 1 milionë dollarë më shumë në ditë në raport me një vit më parë”, tha Spiropali. Ajo renditi edhe arritjes e Doganës gjatë kohës që po e drejton. Sipas saj në aspektin administrative është arritur që të prishen lidhjet nepotike, të kthehet riorganizimi dhe ligjshmëria në punë. Gjithashtu Akademia Fiskale ka arritur të testojë 300 persona. Edhe imazhi sipas drejtoresh së Doganave është përmirësuar kjo falë hartimit të Kodit të Etikës, realizimit të dëgjesa me operatorët, përmirësimi i ambient, por edhe etikës në shërbim. “Janë realizuar tryeza të rrumbullakëta për të diskutuar problemet me subjektet. Pas 13 vitesh krijuam emblemën dhe uniformat e reja, nisëm procedurat për krijimin e doganave bregdetare”, tha Spiropali. Një tjetër realizim i rëndësishëm sipas saj është hartimi i Kodit të i ri doganor i cili tashmë ka kaluar në Komisionin e Ligjeve dhe të Ekonomisë dhe të enjten do të kalojë në seancë plenare. Spiropali tha se kjo është një ndër sfidat më të mëdha në përmirësimin e administratës doganore. Ky ligj është përafrim edhe me atë që është hartuar së fundmi në BE. Duket se financat tona do të jetë sërish të fokusuara dhe në përiudhën në vijim vetëm tek mbledhja e taksave, hartime ligjesh dhe më pak investime edhe pse iniciativa private po gjen një shteg të ri besimi, në mos për të hapur punë të reja, për të paguar borxhe dhe për të vijuar procesin normalisht.