Afrika e Jugut, përgatitet për t’i dhënë lamtumirën ikonës së nëntëqindës për luftën e tij kundër aparteidit. Përkujtimi solemn i tij do të zhvillohet më 10 dhjetor në stadiumin e futbollit në Johanesburg, ndersa funerali zyrtar do të organizohet më 15 dhjetor në Qunu, fshatin ku jeton familja e tij. Ngjarja do të ketë sigurisht përmasa ndërkombëtare dhe krahasohet me funeralin e Papa Gjon Palit II dhe atë të Uinston Çërçill
Familjarët e Mandelës u mblodhën për ceremoninë e parë tradicionale, e quajtur “mbyllja e syve”. Gjatë saj ata “folën” me Mandelën dhe me paraardhësit e tij, për të kuptuar se ç’ndodh pas kalimit të shpirtit nga jeta në botën e përtejme. Pas kësaj ceremonie, trupi i ish-presidentit afrikanojugor u transferua në morgun e një spitali ushtarak në Pretoria.
Midis ditës së gjashtë dhe të tetë pas vdekjes, trupi i “Madiba”-s siç e thërrasin me përkëdheli familjarët do të ekspozohet brenda selisë së qeverisë në Pretoria, e njëjta ku më 10 maj të 1994-s u betua si president i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut. Në ditën e nëntë, një avion ushtarak me në bord trupin e Mandelës do të ulet në aeroportin e Mthatha, qytet në afërsi të të cilit ndodhet fshati Qunu. Këtu ushtarakët do t’ia kalojnë familjes së tij përgjejësinë e trupit të ish-presidentit, e cila do të zhvillojë një ceremoni private me lutje e vajtime. Në fund të shtunën e ardhshme do të jetë funerali i shtetit, ku priten dhjetëra udhëheqës botërorë, midis të cilëve presidenti amerikan Barack Obama.
Ndërkohë pasardhësit e Madibës janë në luftë për pasurine e tij. Do t’i takojë tri vajzave, dy grave dhe 18 nipërve e mbesave të Mandelës, të ndajnë “tortën” e trashëgimisë prej 30 milionë dollarësh. Beteja për trashëgiminë e Madibës kishte filluar vite më parë, por gjatë muajve të fundit, u egërsua më rëndimin e shëndetit të tij.
Jeta e Mandelës në një paragraf
Nelson Mandela është figura politike më me ndikim në historinë e Afrikës së Jugut. President i saj midis viteve 1994-1999, ka qenë lideri kryesor i luftës kundër diskriminimit racial. Në vitin 1993, tre vjet pas lirimit nga burgu në të cilin kaloi 26 vite të jetës së tij, fitoi çmimin Nobel për Paqen. I lindur në Mvezo, më 18 korrik 1918 mori nofkën Rolihlahla që do të thotë: “ai që sjell telashe”. Që në moshë të re u angazhua në luftën kundër padrejtësive dhe si student juridiku iu kundërvu regjimit. Në vitin 1941 u arratis në Johanesburg për të shmangur një martesë të kombinuar nga familja. Në vitin 1942 iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan dhe dy vite më vonë themeloi shoqatën rinore “Youth League”. Më 1944-ën u martua me Evelyn Ntoko Mase, me të cilën u divorcua 13 vite më vonë. Pas fitores së Partisë Kombëtare (mbështetëse e aparteidit) më 1948-n, Mandela e shtoi edhe më shumë aktivitetin e tij kundër segregacionit racial, aq sa themeloi zyrën ligjore që i jepte asistencë qytetarëve me ngjyrë, të cilëve iu mungonte mbrojtja. U arrestua bashkë me 150 persona të tjerë në dhjetor të 1956-s, i akuzuar për tradhti. Pas një procesi të gjatë u lirua në vitin 1961. Ndërkohë, në vitin 1958 u martua për së dyti me Winnie Madikizela, bashkëudhëtare e tij në rrugën e gjatë të luftës kundër aparteidit.
Tërheqja në jetën private – Në vitin 2001, Mandela i nënshtohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për një tumor në prostatë. Pas kësaj shfaqet rrallë në publik dhe gjithnjë e më i dobët, si në rastin e finales së Botërorit të futbollit, më 11 korrik 2010. Gjatë viteve të fundit të jetës kaloi pjesën më të madhe të kohës në Qunu.
Frazat simbol të Mandelës
Liderët e vërtetë duhet të jenë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për të mirën e njerëzve të tyre.
Një shqetësim themelor për të tjerët në jetën tonë individuale dhe në komunitet, mund të bëjë diferencën për ta kthyer botën në atë vend më të mirë, që me aq pasion e ëndërrojmë.
Edukimi është arma më e fuqishme për të ndryshuar botën.
Kam mësuar se guximi nuk është mungesa e frikës, por fitorja ndaj saj. Një njeri kurajoz nuk është ai që nuk ndjen frikë, por ai që arrin ta kontrollojë atë.
Të ndjesh mëri është njësoj si të pish helm me shpresën se kjo do të vrasë armikun.
Duhet të drejtosh nga mbrapa duke iu lënë të tjerëve të besojnë se janë ata para.
Mos më gjykoni për sukseset e mia, por për të gjitha herët që kam rënë dhe kam arritur të ringrihem.
I urrej thellësisht diskriminimet raciale në çdo manifestim të tyre. I kam luftuar gjatë gjithë jetës sime dhe do të vazhdoj t’i luftoj deri në fund të ditëve të mia./D.Gjuzi
E verteta eshte se komunizmi burgjet i kishte me te tmerrshme se burgu liksoz qe beri Mandela! Komunizmi pati te burgosur qe i kalbi shume me teper ne vite burg, sesa Mandelen! Madje Mandela as ndonje intelektual nuk eshte se ka qene. Nja dy shprehje qe tha sa ishte gjalle per paqen etj, me teper ishin te huazuara nga te tjeret.