Skolari befason me emrat për miqësoren me Anglinë, Kaká mbetet jashtë
Brazili i Luis Felipe Skolarit merr formë. Trajneri i kombëtares publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoren e 6 shkurtit ndaj Anglisë në “Wembley”. Mes 20 emrave të grumbulluar nuk mungojnë surprizat sepse Scolari rikthen nën urdhrat e tij ish-sulmuesin e Milanit, Ronaldinho. Një tjetër i rikthyer në Seleçao është edhe mesfushori i Lacios, Hernanes, i cili po zhvillon një sezon të shkëlqyer me bardhekaltrit, ndërsa Kaká mbetet jashtë. Reparti i mbrojtjes konfirmon lojtarin e Romës, Leandro Kastan, ndërsa mesfusha do të përbëhet nga emra të tillë si Paulinjo e Oskar. Një tjetër risi është edhe rikthimi i sulmuesit Luis Fabiano. Lojtari i Sao Paulos do të mbështetet në repartin e avancuar nga emra me peshë si Hulk, Fred, Lucas, Neymar e Ronaldinho. Skolari e mori drejtimin e kombëtares së Brazilit pas shkarkimit të Mano Menezes në vitin 2012, i cili humbi besimin e Federatës së Futbollit për shkak të rezultateve të dobëta që kulmuan me disfatën në olimpiadën Londër 2012.