“Ne kemi të bëjmë këtu me një strukturë politike që nuk përputhet më me bazën e vet ekonomike, kemi një shoqëri ku forcat prodhuese pengohen nga forcat politike”
– Presidenti Ronald Regan –
Ka një fakt të gjallë e tepër kuptimplotë pse më duket që citimi i mësipërm nga Presidenti Regan i shkon shumë për shtat gjendjes, në të cilën e hodhi dhe po e mban për më shumë se njëzet vjet këtë vend tranzicioni i komanduar nga kuadrot besnike të diktaturës. Dhe ky fakt i gjallë , që ka zënë rrugën e përparimit normal të ekonomisë e të vetë demokracisë funksionale në Shqipërinë e tranzicionit, është qëndrimi që kasta politike ka mbajtur e mban ndaj pronës dhe të drejtës së shenjtë të pronësisë. Një qëndrim politik që pengon haptazi zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare.
Si të mos mjaftonin vështirësitë e tjera të trashëgimisë komuniste, që i la shoqërisë shqiptare diktatura e vjetër, e tërhequr nga pushteti i dukshëm, për shkak të motit politik të fillimit të viteve ’90, trashëgimtarët e diktaturës gjysmëshekullore na stisën dhe një ndarje leniniste të tokës, duke i lënë përsëri të shpronësuar pronarët e ligjshëm të shpronësuar nga diktatura dhe duke ngritur ashtu një mur shkëmbor në rrugën e përparimit ekonomik të këtij vendi. Dhe këtë e bënë pikërisht ata palo pushtetarë besnikë të diktaturës së kalbëzuar e të ngelakequr në llumin e përgjakur të krimeve të veta, të cilët nuk pushojnë as pas dy dekadave të rrahin gjoksin se na paskan “shembur murin e Berlinit në Tiranë”(!)
Dhe jo të shembur e shaka, sepse në vend të Murit të Berlinit që e shembën të tjerë burra, palo pushtetarët tanë të tranzicionit ngritën një mur të ri, që ndau pronarët e ligjshëm nga e drejta e tyre e shenjtë e pronësisë. Dhe shikoni se ku e shpuri vendin pas më tepër se dy dhjetëveçarëve ai mur i ri klasor, që ngritën trashëgimtarët besnikë të Partisë së Punës, me qëllimin e mbrapshtë për të mos lejuar pronarët e mbetur gjallë nga lufta e klasave të gëzonin pronat e tyre të trashëguara brez pës brezi.
Sot pas dy dekadave tranzicion, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, që nuk tërheq dot investimet e huaja direke në mënyrë të natyrshme e sipas ligjeve të njohura të tregut, sepse nuk është zgjidhur ende çështja e pronës mbi tokën(!) Sepse regjimi i ri i trashëgimtarëve të diktaturës së vjetër është lëshuar me një babëzi kriminale të pasurohet brenda natës me pronat e të tjerëve dhe me pasuritë kombëtare. Sepse kjo babëzi kriminale e pushtetarëve sojsëzë e dinsëzë të tranzicionit shqiptar, një tranzicion nga diktatura e komunistëve stalinistë në diktaturën e komunistëve putinistë, është shkaku themelor i prapamabetjes së Shqipërisë sonë në rrugën e zhvillimit të demokracisë funksionale e në rrugën e begatimit të këtij populli me pronat e veta,me dhuntitë e veta e me mundësitë që i jep natyra e mrekullueshme e vendit të vet me treqind ditë diell.
Ky është muri i vërtetë që kanë ngritur e ruajnë të paprekur këto vite të gjata tranzicioni pushtetarët trashëgimtarë të diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo është dhe arsyeja e vërtetë se përse çirren aq shumë pushtetarët putinistë të tranzicionit shqiptar , kur duan të na mbushin mendjes se na paskan rrëzuar dhe Murin e Berlinit në Tiranë…Në Tiranë, se në Berlin nuk patën kohë të “jepnin një dorë më të shkuar e sipër”, pasi qenë shumë të zënë me kthimin e tyre të ngutshëm nga bejlurçina pa të drejtë trashëgimie në regjimin e Partisë së Punës, në bejlurçina trashëgimtarë jo vetëm të pushtetit të diktaturës por edhe të pasurisë së pronarëve të ligjshëm dhe të pasurisë kombëtare të shqiptarëve…
Le të shohim pakëz më nga afër arsyet se përse pushtetarët e tranzicionit shqiptar, të komanduar nga besnikët fanatikë të diktaturës komuniste, ngritën atë mur të madh në udhën e zhvillimit normal të sistemit të demokracisë funksionale në Shqipërinë e varfër, aq shumë të sëmurë, të uritur e të terrorizuar nga dhuna shtetërore.
Së pari, të gjithë e kanë parë tanimë se si u rrënua prona publike e shqiptarëve në ato ditë të rrëmbyera të tërheqjes së diktaturës nga pushteti i dukshëm, si pasojë e kalbjes së rëndë që pati pësuar nga krimet e veta. Të gjithë e dinë tanimë se si rrënohej sheshit edhe ajo ekonomi e kapitulluar, që la më këmbë sistemi i planifikimit pesëvjeçar dhe i komandës qendrore të ekonomisë. Kush nuk e mban mend sesi priteshin ullishta e vreshta, plantacione me portokallle e me limona dhe plantacione të tëra me pemë frutore! Dhe priteshin e digjeshin në emër të antikomunizmit pervers të komunistëve antikomunistë! Në emër të tyre rrënohej një ekonomi e tërë kombëtare e një kombi të uritur dhe ajo “trimëri antikomuniste” pas të vjeli na thuhej që bëhej në emër të antikomunizmit të komunistëve më të sëmurë, por në të vërtetë bëhej për ta kthyer njëqind vjet prapa Shqipërinë e drobitur nga diktatura gjysmëshekullore.
Pikërisht në ato ditë të turbullta, kur demokracia erdhi tek ne si demonkraci e si një ohllokraci tipike për nivelin e kastës politike, që trashëgoi pushtetin me tapi, kjo kastë politike ishte në ethe për të hedhur në duart e saj edhe tapitë e pronarëve të ligjshëm. Dhe e bëri një gjëmë të tillë kombëtare me anën e ligjeve të miratuara me direktivën e Partisë-Mëmë. E bëri atë gjëmë kombëtare për ta mbajtur Shqipërinë sa më larg e sa më gjatë nga zhvillimet e natyrshme të sistemit të ri demokratik e pluralist. E bëri ashtu duke ngritur atë murin e madh prej betoni në mes të udhës së përparimit normal të demokracisë reale e të zhvillimit e të begatimit të natyrshëm të mbarë vendit.
Sepse mjaftonte të bënte aksionerë të gjithë qytetarët shqiptarë, sipas kontributit e sipas lëmit ku kishin derdhur djersën e tyre për gjysmë shekulli punë të papaguar e punë të detyruar, mjaftonte të miratonte ligjet më të thjeshta në botë për të njohur të drejtën e shenjtë të pronësisë e për të kthyer pronën tek i zoti, dhe as demokracia e as ekonomia shqiptare nuk do të vuanin këtë lëngim të rëndë, edhe pas më shumë se njëzet viteve tranzicion.
Sepse mjaftonte, për shembull, që pushtetarët trashëgimtarë të diktaturës të bënin qysh në krye të herës inventarizimin e të gjitha pronave në mbarë vendin e pastaj të njihnin me ligj të drejtën e pronësisë sipas kritereve të njohura të botës së qytetëruar, për të mos pasur sot në mes të udhës sonë atë mur të shëmtuar që pengon zhvillimin ekonomik, demokratik, arsimor e kulturor të këtij vendi të bukur. Do të mjaftonte vetëm një proces demokratik i kthimit të pronës tek i zoti, një proces ku të gjithë të trajtoheshin si qytetarë të bararbartë përpara ligjit dhe jo të trajtoheshin përsëri si “armiq të klasës” pronarët e ligjshëm , duke u kthyer në “ish-pronarë” e të shikoheshin përsëri si “armiq populli” të burgosurit e të përndjekurit politikë të diktaturës dhe sot do të kishim një Shqipëri tjetër. Një Shqipëri pa MUR KLASOR prej betoni në mes të udhës sonë të zhvillimit e të begatimit. Do të kishim një Shqipëri vërtet demokratike e jo demonkratikase. Një Shqipëri ku pluralizmi politik i mirëfilltë dhe zgjedhjet e lira do të kishin sjellë natyrshëm në krye të punëve atë klasë politike, që e shpinte vendin më përpara dhe nuk do të kishim edhe pas më shumë se dy dekadave po të njëtët shërbëtorë besnikë e fanatikë të diktaturës, shërbëtorë fanatikë të Partisë së Punës, të cilët janë kthyer në bejlurçina milionerë me pronat e pronarëve dhe me pasuritë kombëtare.
Se janë pikërisht këto bejlurçina të kthyera në milionere me grabitjen e pronave të pronarëve të ligjshëm, që për më tepër se dy dekada tranzicion e kanë lënë dhe Bregdetin tonë të bukur në një katrahurë pronësie, ku janë lëshuar të bëhen “pronarë të ligjshëm”hienat me pushtet , kurse pronarët e vërtetë të Bregdetit, bregdetasit punëtorë, sorollaten zyrave e gjykatave për të kërkuar të drejtën e tyre themelore, të drejtën e pronës që u kanë lënë të parët .
Se bregdetasit tanë punëtorë ia kanë shkëputur shkëmbit ato ledhe toke e nuk i kanë marrë si shpërblime për shërbime ndaj sulltanëve. Ia kanë shkëputur shkëmbit me krahët e tyre bregdetasit tanë ato ledhe, që i kanë kthyer në ullishta e në vreshta e në portokallishtet, të lëna si të shkreta edhe për të shpëtuar nga kthetrat e hienave pushtetare, që lëshohen nga ana e anas për t’u bërë “pronarë të ligjshëm” të Bregdetit (!)
Kjo është dhe arsyeja pse Bregdeti ynë ka mbetur i pazhvilluar në krahasim me fqinjët tanë, edhe pse bukuritë e rralla Bregdetit tonë ia kanë zili dhe fqinjët po aq sa pushtetarët e babëzitur të Tiranës. Kjo është dhe arsyeja pse çdo qytetar i këtij vendi duhet t’u thotë përballë e me zë të lartë, si pushtetarëve makutë të Tiranës së tranzicionit edhe fqinjëve që lakmojnë prej kohësh trojet tona stërgjyshore: BREG DETI ËSHTË I BREGDETASVE!
T’u themi me zë të plotë se në Bregdet janë pronarë të ligjshëm vetëm bregdetasit punëtorë. Ato ledhe të shkëputura më mundim nga shkëmbente, aty mes maleve dhe detit, kanë zot bregdetasit e prandaj janë të paprekshme , qoftë nga ligjet e paligjshme të pushtetarëve të sëmurë babëzie e qoftë nga lakmia e vjetër e ca qarqeve fqinje të mbetura në shekujt e shkuar.
Jo vetëm pronat e pronarëve të ligjshëm të Bregdetit që kanë zot vetëm të pronarët e tyre punëtorë , por edhe shteti (se besoj do të ngrihet së shpejti dhe tek ne shteti i të drejtës) kur dëshiron të investojë për zhvillimin e shpejtë të Bregdetit, duhet të marrë miratimin e bregdetasve pronarë edhe për pronat e përbashkëta të fshatrave. Duhet të bëjë aksionerë bregdetasit dhe shteti i të drejtës, sa herë që do ta shohë të nevojshme të ndërhyjë për të shpejtuar zhvillimin e Rivierës sonë të rrallë. Edhe shteti i të drejtës duhet të veprojë në Bregdet pa harruar asnjëherë thirrjen që vjen nga shkëmbinjtë e kthyer në ullishta e në vreshta e në portokallishta:BREGDETI ËSHTË I BREGDETASVE!
Z. Gumeni ligji i djathte 7501 e çon perpjete (perpara) SHqiperine , o balo te hengert tenja e ke te keqe brena i thoni ju leberit .
Kudo ne Europe o Gumeni,lumejt ,pyjet, detet, kullosat e bregdeti jan te shtetit.Vetem toka are e prone private.Lexoni pake ma shume qe te qetsohesh.