Bujqësia vijon të zërë peshën kryesore në punësim, si të femrave ashtu dhe meshkujve, ndonëse roli i saj në prodhimin e brendshëm bruto ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, nën 20% të PBB-së, nga rreth 50% e PBB-së, që ishte në fillim të viteve ‘90.
Madje pesha e punësimit në bujqësi është rritur në tremujorin e dytë 2013, duke arritur në 48.8% të totalit, nga 45.6% që ishte në tremujorin e parë 2012, sipas Anketa Tremujore e Forcave të Punës për tremujorin e dytë 2013.
Rritja ka ardhur si nga shtimi i pjesëmarrjes së femrave ashtu dhe të meshkujve në bujqësi.
Ndërkohë është ulur pesha e punësimit në industri, duke reflektuar krizën që po kalon ky sektor.
Sipas të dhënave të Anketa Tremujore e Forcave të Punës, në tremujorin e dytë 2013 rreth 36 për qind e personave të punësuar (të punësuar me pagë dhe të vetëpunësuar) punuan në sektorin e shërbimeve.
Punësimi në këtë sektor mbetet pothuajse i njëjtë që nga tremujori i dytë 2012 me disa luhatshmëri të vogla.
Punësimi në sektorin e shërbimeve të tregut si tregtia, transporti, aktivitetet financiare etj, përbënte 19.7 për qind të punësimit total, në sektorin e shërbimeve jo të tregut, punësimi zinte afro 15.2 për qind të punësimit total dhe në sektorin e bujqësisë përbënte 48.8 për qind të punësimit.
Në tremujorin e dytë 2013, 58.5 për qind e femrave të punësuara ishin të angazhuara në aktivitete bujqësore e blegtorale, 14.8 për qind në aktivitete të tilla si tregtia me shumicë dhe pakicë, hotele dhe restorantet ndërmjetësimi monetar dhe financiar, etj.
Gjatë tremujorit të dytë 2013, 40.5 për qind e meshkujve të punësuar punonin në sektorin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. / Monitor