Gjykata e Durrësit mban në burg kryetarin e Shoqatës së Pajtimit, ndërsa ka zbutur masën e sigurisë për anëtarin e dyshuar si sekser dhe personin që pagoi paratë për të përfituar një dokument fals për të ëprfituar azil në vendet e BE-së. Seanca u zhvillua mesditën e djeshme, ku të pranishëm ishin tre të pandehurit. Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg” për të dyshuarit, por sipas avokatëve, klientët e tyre nuk përbënin rrezikshmëri shoqërore, janë thjesht hallexhinj që kërkojnë një jetë më të mirë për shkak të papunësisë dhe varfërisë.
Minisionari i Pajtimit, Ndrec Prenga, njëkohësisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të Pajtimit, sipas verdiktit të gjyqtarit të gatshëm, do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Kurse Tom Marena, anëtar i shoqatës, që bënte sekserin tek personat që kërkonin vërtetime false për 300-1 mijë euro ryshfet dhe Petrit Ndoj, u lanë me masën “arrest shtëpie”. Për Marenën gjykata mori parasysh edhe moshën e tij të thyer, pasi është 70-vjeçar, kurse për Ndojin faktin se ishte thjesht një qytetar që kërkonte të largohej për shkak të vështirësive nga vendi. Ndoj ka pretenduar se ai është i rrezikuar nga problemet e hasmërisë, ndërsa iu desh të paguante për dokumentin.
Prokurori i çështjes, Afrim Shehu, tha se përgjimet e kryera pas informacioneve se bëhej korrupsion me vërtetimet e gjakmarrjes për qëllime azili në zonën Shengen, SHBA apo BE, zbuluan skemën e rrjetit dhe provuan krimin. Prenga, gjatë ushtrimit të detyrës formulonte dokumente me të dhëna të rreme për gjakmarrje, kundrejt përfitimit të paligjshëm nga 300-1000 euro. Këto dokumente, personat përfitues i paraqisnin ne zonën Shengen, për të përfituar azil. Për dy të arrestuarit e tjerë, u dha masa e sigurisë arrest shtëpiak.
Policia dhe Prokuroria njoftuan se nga hetimet e kryera prej disa muajsh dhe veçanërisht në përgjimet e kohëve të fundit, u provua veprimtaria e paligjshme e falsifikimit dhe korrupsionit pasiv në sektorin privat. Sinjalet e para erdhën nga organet ligjzbatuese të disa vendeve të BE-së, që kanë kthyer pas të paktën 100 emigrantë të paligjshëm në dy muajt e fundit, për shkak se kishin dokumente false gjakmarrjeje për qëllime azili. Aktualisht janë provuar edhe dy raste të tjera përveç atij të Petrit Ndoj në kushtet e flagrancës. Dy prej tyre në vendet e BE-së dhe një në Kanada, ndërsa dyshohet edhe për të tjera falsifikime.