Partia Demokratike duket se po shfrytëzon projektvendimin mbi të cilin u ngrit Komisioni i posaçëm për Reformën Territoriale për t’i bërë presion mazhorancës qeverisëse për gjetjen e një konsensusi.
Në projektvendim përcaktohet se mbledhjet e komisionit konsiderohen të vlefshme kur në to marrin pjesë 50 % e anëtarëve, por vendimet nuk mund të merren pa konsensusin e palëve.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, bazuar në këtë logjikë, e konsideron edhe mbledhjen e konstituimit të komisionit si nul për shkak se në të nuk kishte 9 anëtarë.
“Që një komision apo një trupë kolegjiale të mblidhet, të konstituohet dhe më pas të kenë mbledhje të vlefshme, duhet të ketë më shumë se gjysmën, pra kuorumi që është më shumë se gjysma. Ajo tentativë për t’a mbledhur komisionin, duke insistuar me kokëfortësi, që ashtu sicc është është i vdekur, nuk tregoi gjë tjetër veccse një qasje aspak respektuese karshi opozitës, e cila ka e kundërshtuar në parim. Pra ajo mbledhje nuk përbën asnjë vlerë qoftë në aspektin politik, apo juridik, pasi duheshin 9 anëtarë që komisioni të quhet i konstituuar dhe nga ai moment të ketë mundësi të bëjë mbledhje dhe të marrë vendime”, theksoi Bylykbashi.
Në këtë logjikë, ligjvënësi demokrat thekson se mbledhja e konstituimit të komisionit ishte vecse një shou dhe asgjë më shumë.
E ndërsa insiston në vendosjen e konsensusit mes palëve për angazhimin e opozitës në Komisionin për Reformën Territoriale, Bylykbashi nuk e konsideron pranimin e kërkesës së PD-së nga mazhoranca për hetimin parlamentar të emërimeve dhe shkarkimeve që kanë ndodhur në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit si konsensus.
“Këtë të drejtë, opozitës ia njeh Kushtetuta, ndaj të pretendohet se u arrit konsensusi mbi diçka që është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese, është boshe”, shprehet ligjvënësi demokrat.
Partia Demokratike dhe dy partitë e tjera të opozitës PR dhe PDIU që kanë të drejtën e anëtarëve në Komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Territoriale nuk morën pjesë në mbledhjen e parë të konsituimit.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin 8 deputetë të mazhorancës, 6 nga PS dhe dy nga LSI, ndërsa bashkëkryetari i komisionit Bashkim Fino i drejtoi një apel opozitës për të marrë përgjegjësitë që i takon dhe të bëhet pjesë e një procesi konsensual.
Anëtari socialist i komisionit, Armando Subashi kërkoi hartimin e emrave të ekspertëve që do të asistojnë komisionin.
“Ne jemi komision pune kemi shumë gjëra para për të bërë në një afat të shkurtër. Përpos thirrjeve të vazhdueshme që kolegët tanë të opozitës të jenë këtu të vazhdojmë punën. Të bëhen gati emrat e ekspertëve që do të asistojnë komisionin”, tha Subashi.
Gjithsesi komisioni nuk operoi me vendimmarrje konkrete, ndërsa opozita ende nuk ka bërë të ditur as emrat e deputetëve që do të jenë pjesë e këtij komisioni.