Edgar Çani ka qenë prej kohësh i vetëdijshëm për vështirësitë që do të gjente te Katania, ndaj nuk ka ndërmend të lëvizë me hapjen e merkatos. Sulmuesi i Shqipërisë u transferua në janar nga Polonia e Varshavës, ndërkohë që aktivizimi i tij u bë i mundur ligjërisht vetëm në shkurt, pas vendimit të marrë nga FIFA. Megjithatë, ai ka mundur të luajë vetëm katër herë nga pak minuta, pa qenë kurrë titullar në skuadrën siciliane. Agjenti i tij, Oberto Petrika, ka bërë të ditur se sulmuesi nuk ka mbetur i zhgënjyer nga muajt e parë pas rikthimit në Itali. “Çani është ambientuar mirë me grupin brenda një kohe të shkurtër, si dhe është përmirësuar nga ana fizike”, thotë Petrika. “E dinte që po vinte në një skuadër me sulm që nuk premtonte ndryshime, megjithatë zgjodhi Katanian”. Agjenti i Çanit shton se sezoni i ardhshëm do të jetë më i mirë për klientin e tij. “Besoj se këta muaj ishin një parapërgatitje për sezonin e ardhshëm, në të cilin Çani mund të japë një kontribut të madh për skuadrën. Besoj se është pjesë e projektit të Katanias edhe për të ardhmen, por edhe nëse klubi ndryshon mendim, nuk do të jetë problem për të shkuar diku tjetër, sepse situata kontraktuale favorizon çdo transferim të mundshëm”, sqaron Petrika. “Askujt nuk i pëlqen stoli dhe nëse do të kishte luajtur pak më tepër në fund të sezonit do të kishte qenë më mirë. Megjithatë, presim të vlerësojmë gjithçka gjatë grumbullimit dhe më pas do t’i kemi idetë më të qarta”. Ndërkaq, Çani do të ketë mundësi t’i tregojë vlerat e tij më 7 qershor, kur do të veshë fanellën e Shqipërisë për ndeshjen jetësore me Norvegjinë, ku mund të luhet fati i kualifikimit në botërorin e vitit të ardhshëm.