“Jeshilllëku” i Lazaratit ka një bursë në kuptimin e vërtetë të fjalës në vendet fqinje, si Italia dhe Greqia. Sipas policisë italiane dhe asaj shqiptare, në vendet fqinje hashash i Lazaratit kap shifrën e pabesueshme të 4.5 miliardë euro. Po si llogaritet një shumë kaq e madhe dhe ku shkojnë të gjitha këto “fitime”? “Sipas një përllogaritje të shifrave të dhëna nga italianët, Lazarati arrin të prodhojë 900 tonë hashash, me një vlerë 4.5 miliardë euro. Çmimi për 1 kilogram është rreth 5000 euro (5 euro grami).
Kjo shifër nuk tregon saktësisht çmimin për 1 kilogram që fitojnë “fermerët” e Lazaratit. Sipas disa të dhënave konfidenciale, kryesisht nga policia, 1 kilogram hashash nga Lazarati varion nga 250-450 euro, pra një shumë më e ulët nga sa deklaroi Guardia di Finanza. Megjithatë, shifrat e dhëna nga italianët qëndrojnë, pasi ata kanë llogaritur çmimin me pakicë, apo të gjithë zinxhirin e tregtimit të kësaj lënde”, shkruan sot gazeta “Shqip”. Një 1 kilogram hashash me shumicë është mesatarisht 350 euro.
Personat që e nxjerrin këtë lëndë narkotike nga fshati marrin edhe ata një “taksë” duke e rritur çmimin në 500 euro. Më pas, grupet e mëdha, që kanë edhe mjetet e duhura, si skafe apo kamionë, e tregtojnë kryesisht në rrugë detare, por edhe tokësore hashashin në Greqi dhe Itali dhe e shesin te grupet italiane me një çmim rreth 800 euro. Këta të fundit, pasi e përpunojnë, ua shesin shpërndarësve me çmime akoma më të larta, të cilat variojnë nga cilësia. Mesatarisht, çmimi i hashashit në vende perëndimore, me pakicë, është rreth 5 euro 1 gram. Madje, kërkesa për mall shqiptar është rritur dhe mund të paguhet më shtrenjtë.
Por në Shqipëri, çmimi me pakicë i hashashit është disa herë më i ulët se në vendet perëndimore. Një “qese farmacie” që ka mesatarisht nga 4 deri në 5 gramë shitet me një çmim 5 mijë lekë të vjetra. Ky çmim vlen për Tiranën, pasi në qytetet bregdetare ai është dyfishuar, për shkak të rrezikshmërisë për tregtimin e saj.