Reporterja e revistës gjermane “Stern”, Laura Himelreik, ka rrëfyer në një artikull ngacmimet që ka pësuar nga Rainer Bruderle, një nga figurat kryesore të Partisë Demokratët e Lirë (FDP). Historia ka ngjallur diskutime në të gjithë vendin dhe ka rihapur debatin e seksizmit në shoqërinë gjermane
Gjithçka nisi mbrëmjen e 5 janarit të vitit të kaluar, kur Laura Himelreik, gazetarja 29-vjeçare e revistës “Stern” po zhvillonte një intervistë në barin e një hoteli në Stokarda me liderin e liberalëve, Rainer Bruderle, në atë kohë ministër i Ekonomisë në qeverinë Merkel. Sipas asaj që shkruan gazetarja, Bruderle, 67 vjeç, shihte në mënyrë insistuese dekoltenë e saj, i puthte dorën dhe filloi t’i bënte komplimente gjithnjë e më të guximshme. Kur Himelreik i kërkoi që t’i përmbaheshin bisedës mbi baza profesionale, kryetari i liberalëve nuk ndryshoi qëndrim, por vazhdoi duke thënë se politikanët ishin shumë të ndjeshëm ndaj sharmit femëror. “Në fund të fundit edhe ne qenie njerëzore jemi”, i kishte thënë. Mbërritja në atë moment e një funksionareje të zyrës së shtypit të partisë së tij ishte vendimtare që episodi të mbyllej me aq. “Është koha që të shkojmë të flemë”, iu drejtua gruaja Bruderles duke marrë me vete gazetaren.
Politikanët mbështesin kolegun e tyre, ndërsa gazetarët janë nga ana e saj dhe rëndësinë e kësaj çështjeje e vërteton edhe ndërhyrja e kancelares Anxhela Merkel, e cila përmes zëdhënësit të saj, Stefen Seibert, ka bërë të ditur se mbështet “sjelljen profesionale” në botën e politikës dhe në raportet e saj me median. Por Seibert shtoi se “midis qeverisë dhe kryetarit të grupit të liberalëve (aleatë të partisë së Merkelit) ekziston një marrëdhënie e mirë bashkëpunuese”.
Parlamentarja Kristina Shrëder e ka cilësuar si tepër të rëndësishëm faktin që problemi është ngritur në rang diskutimi, duke kujtuar të dhënat shqetësuese mbi numrin e grave që pësojnë ngacmime seksuale, veçanërisht në vendet e punës.
Laura Himelreik ishte mbështetur menjëherë nga drejtori i revistës, Tomas Osterkorn, sipas të cilit “seksizmi është kthyer në normë” me gazetaret femra. Kur “Stern” botoi këtë javë artikullin mbi ndodhinë që kishte ngjarë një vit më parë, shumë pyetën veten se përse Himelreik kishte pritur kaq gjatë për ta rrëfyer dhe pikërisht në momentin kur Bruderle i vendosur në krye të FDP-së do të nisë fushatën elektorale të zgjedhjeve që zhvillohen në shtator. Nga ana e tij, Osterkorn është justifikuar duke thënë, se sjellje të ngjashme të ish-ministrit me gra të tjera të medias e shtynë të botonte atë që kishte ndodhur në Stokarda. “Ishte mëse i drejtë botimi i këtij artikulli”, pohoi Osterkorn. Por, ndajnë tjetër mendim kolegët e kreut të liberalëve. Ministri i Jashtëm, Guido Uestervele, tha se ishte e padrejtë bërja publike e një fakti të tillë një vit pasi kishte ndodhur. Edhe opozitari dhe socialdemokrati Sebastian Edathi është shprehur se “nëse gazetarja do të ishte ndjerë realisht e ofenduar, duhej ta kishte denoncuar ndodhinë menjëherë”. Himerleik pohon se artikullin e kishte shkruar me qëllim që të tregonte personalitetin e vërtetë të Bruderles.
Duket sikur një mallikim po rëndon mbi kandidatët për kancelar në Gjermani. Pasi mori miratimin e partisë socialdemokrate për të qenë ai kancelari i ri nëse do të fitonin zgjedhjet, Per Steinbruk u vu në vështirësi të mëdha për shkak se dolën në dritë të dhëna mbi shpërblimet e majme që merrte për fjalimet publike. Ai, gjithashtu ka kryer një seri të gjatë gafash që e kanë vënë në pikëpyetje kandidaturën e tij për kancelar. Më e vështirë paraqitet pozita e numrit një të liberalëve, nëse Steinbruku nuk u pëlqen zgjedhëseve femra për shkak të karakterit të tij të ashpër, pas këtij artikulli Bruderle ka humbur shumë pikë midis radhëve të grave.
Somario: Sipas asaj që shkruan gazetarja, Bruderle, 67 vjeç, shihte në mënyrë insistuese dekoltenë e saj, i puthte dorën dhe filloi t’i bënte komplimente gjithnjë e më të guximshme
Përgatiti: Dorina Gjuzi