Lajmi i papritur për dorëheqjen e papës është komentuar nga shumë prej personaliteteve botërorë të politikës dhe besimit fetar. Presidenti italian, Xhorxho Napolitano, thotë se vendimi i papës meriton respektin maksimal. “Një kurajë e jashtëzakonshme që meriton respektin më të madh”, e komenton Napolitano. Ai thekson se me vendimin e tij, Benedikti XVI ka treguar një kurajë të jashtëzakonshme dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie.
Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, është shprehur se lajmi për dorëheqjen e papës ngjall emocione te të gjithë, duke theksuar se zgjedhja e tij gëzon respektin tim maksimal.
Presidenti francez, Fransua Hollande, thotë se dorëheqja e papës është një akt thellësisht i respektueshëm. “Republika Franceze përshëndet papën që e ka marrë një vendim të tillë, por nuk mund të bëjmë komente të tjera, pasi është një çështje që i përket kishës. Vendimi është njerëzor dhe një vullnet që duhet respektuar”, thotë Hollande.
Kryeministri italian, Mario Monti , thotë se është i habitur nga ky lajm që erdhi krejt papritur.
Ndërsa kreu i kishës kopte egjiptiane, peshkopi Angelos, thotë se dorëheqja e papës është një akt ndershmërie nga ana e papës “i cili lajmëroi tërheqjen e tij në momentin që kuptoi se shëndeti nuk e lejonte të kryente detyrën”.
Reagime pozitive në mbështetje dhe respekt për vendimin e papës vijnë edhe nga komuniteti hebre. Rabini i Izraelit, Yona Metzger, thotë se papa ka pasur marrëdhënie shumë të mira me rabinatin. “Ai duhet vlerësuar për punën që bëri për forcimin e lidhjeve ndërfetare në botë mes krishtërimit, hebraizmit dhe islamit”.
Imami i Al Azharit, drejtuesi më i lartë i institucionit sunit mysliman, Ahmad el Tayyeb, thotë se mbeti i tronditur nga lajmi i dorëheqjes së papës, një lajm i marrë gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura, ku po zgjidhej myftiu i ri i Egjiptit.
Vatikani: Në mars do të kemi papën e ri
Papa që do të zërë vendin e Benediktit të XVI do të zgjidhet në mars. Konfirmimi vjen nga atë Lombardi në Selinë e Shenjtë. “Për Pashkë do të kemi Papën e ri. Ky është i vetmi parashikim që mund të bëjmë tani për tani”, ka thënë zëdhënësi i Vatikanit. Ai ka saktësuar se ekipit mjekësor që kujdeset për Papën nuk i rezulton asnjë sëmundje që mund të ketë influencuar te vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen. Lombardi ka shtuar se “kohët e fundit, papa nuk ishte absolutisht aspak i rënë moralisht, kishte qetësi shpirtërore dhe ruante me të tjerët raportet që karakterizojnë postin e lartë. Nuk kishte asnjë shenjë depresioni apo dekurajimi, pavarësisht se mund të jetë prekur nga çështje të vështira, të cilat nuk mendoj se kanë ndikuar te vendimi për të dhënë dorëheqjen”.
Koha për një papë me ngjyrë?
“Mos ka ardhur koha për një papë me ngjyrë?”. Kjo është pyetja që ngre faqja konservatore amerikane Drudge Report, e cila komenton dorëheqjen e Papës Benedikti XVI. Drudge madje hedh edhe një kandidaturë, atë të kardinalit Peter Kodwo Appiah, lindur në 1948 në Gana. Aktualisht, kardinali Appiah mban postin e drejtuesit të Këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe.
Vëllai i papës: E dija prej kohësh
Ndërsa në Vatikan, bashkëpunëtorët më të ngushtë të papës thonë se vendimi për të dhënë dorëheqjen nga kreu i Kishës Katolike u ka ardhur i papritur, vëllai i Benediktit XVI thotë se e dinte prej kohësh këtë gjë.
Georg Ratzinger thotë se ishte prej disa muajsh në dijeni të planit të papës për të dhënë dorëheqjen. “Isha vënë në dijeni për këtë gjë”, ka thënë vëllai i papës, i cituar nga e përditshmja gjermane “Die Welt”. “Im vëlla shpreson të gjejë qetësi tani në pleqëri”, tha ai.
Papa Benedikti XVI jep dorëheqjen, rasti i parë në 600 vjet
Papa Benedikti i XVI do të largohet nga papati. Benedikti i XVI lë rolin e tij si lider i kishës katolike në 28 shkurt. Ai është shprehur se largimi i tij vjen për shkak se “nuk ka forcën e duhur fizike për të kryer detyrën, si pasojë e moshës së thyer. Ai është shprehur se dorëheqja e tij bëhet me vullnet të lirë dhe me vetëdije të plotë për rëndësinë e këtij veprimi. Kardinali Jozef Ratzinger u zgjodh në krye të Vatikanit në prill të vitit 2005, pas ndarjes nga jeta të Papa Gjon Palit të Dytë.
Detaje të tjera të dorëheqjes së tij nuk janë dhënë ende, por mediat botërore shkruajnë se ky vendim është i pazakontë. Ndërkohë, menjëherë pas lajmit, e gjithë vëmendja botërore është përqendruar në Vatikan. Mediat italiane, mes të cilave ANSA, janë bllokuar nga numri i lartë i klikimeve.
Dorëheqja e një pape është një akt i pazakontë për Vatikanin. Dorëheqja e fundit e një pape ka qenë ajo e Papës Gregori XII, në vitin 1415.
Papa Benedikti XVI është aktualisht 86 vjeç.
Deklarata e plotë e dorëheqjes së Papës
Të nderuar vëllezër
Ju kam mbledhur në këtë konsistor jo vetëm për tre kanonizimet, por edhe për një vendim me rëndësi të madhe për jetën e kishës.
Pasi e kam shqyrtuar disa herë ndërgjegjen tima para Zotit, kam arritur në përfundimin e sigurt se fuqitë e mia, si pasojë e moshës së thyer, nuk janë më të duhurat për të kryer detyrën e petrinit.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo detyrë, për shkak të natyrës thelbësisht shpirtërore, duhet kryer jo vetëm me fjalë dhe vepra, por jo më pak edhe me lutje dhe vuajtje.
Sidoqoftë, në botën e sotme, e cila është subjekt i ndryshimeve të menjëhershme dhe tronditet nga pyetje me rëndësi të thellë për sa i përket besimit, në mënyrë që të drejtohet anija e Shën Pjetrit dhe të proklamohet Ungjilli, fuqia e mendjes dhe trupit janë të domosdoshme, forcë që në muajt e fundit është dobësuar tek unë, saqë më duhet të pranoj pamundësinë për të përmbushur detyrën që më është besuar.
Për këtë arsye, duke njohur shumë mirë seriozitetin e këtij veprimi, me vullnet të plotë deklaroj se heq dorë nga ministria e Peshkopit të Romës, pasardhës i Shën Pjetrit, detyrë që mu besua nga kardinalët në 19 prill 2005. Në këtë mënyrë, në 28 shkurt 2013, në orën 20:00, vendi im do të jetë vakant dhe konklavi do të zgjedhë një tjetër papë, në zbatim të kompetencave të tij.
Të dashur vëllezër!
Ju falënderoj sinqerisht për të gjithë dashurinë dhe punën me të cilën keni ndihmuar në kryerjen e detyrës time dhe ju kërkoj falje për çdo defekt. Dhe tani le t’ia besojmë Kishën e Shenjtë bariut tonë suprem, Jezu Krishtit, dhe të lusim nënën e shenjtë Mari, që të ndihmojë me mirësinë e saj amnore kardinalët në zgjedhjen e një pape të ri.
Ndërsa në lidhje me mua, shpresoj se gjithashtu që në mënyrë të devotshme t’i shërbej Kishës së Shenjtë dhe Zotit në të ardhmen, përmes një jete që i dedikohet lutjes. / Përgatiti: Gazmira Sokoli




