Një dallgë e madhe cunami, që pasoi shpërthimin e një vullkani, ka lënë të vrarë të paktën 168 persona pasi u përplas pa paralajmërim mbi plazhet më të populluara të ngushticës “Sunda” të Indonezisë, gjatë mesnatës së të shtunës, duke lënë pas një valë të gjerë shkatërrimi dhe duke shkaktuar panik edhe më në brendësi të ishullit.
Qindra ndërtesa u shkatërruan nga dallga gjigante e ardhur prej detit dhe që goditi ishullin jugor të Sumatrës, por edhe brigjet perëndimore të Javës rreth orës 21:30 të mbrëmjes, me atë lokale, pas shpërthimit të një vullkani të njohur si “fëmija” i vullkanit të famshëm “Krakatoa”.
Këtë njoftoi Sutopo Purëo Nugroho, zëdhënës i Agjencisë kombëtare për Fatkeqësitë Natyrore, teksa shtoi se ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kërkuar ende nën rrënoja për të mbijetuar, ndërsa deri tani 168 persona janë konfirmuar të vdekur, 745 të tjerë të plagosur dhe 30 persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur në 3 rajone gjithsej.
Autoritetet thonë se cunami mund të jetë shkaktuar nga një rritje jonormale e baticës, për shkak të hënës së re dhe rrëshqitjeje nënujore, pas shpërthimit të vullkanit “Anak Krakatoa”, i cili krijon kështu edhe një ishull të vogël në ngushticën “Sunda” mes Javës dhe Sumatrës.
Indonezia është një prej zonave më të prekura nga fatkeqësitë natyrore, pasi shtrihet në të ashtuquajturën “unazë e zjarrtë” e Paqësorit, ku pllakat tektonike përplasen me njëra-tjetrën, duke e bërë këtë zonë të prekshme nga vullkanet dhe tërmetet më fuqishme të botës.
l.h/ dita
Gabim.Dallga duhej te kish lajmeruar.