11:35 – Debate mes deputetëve të opozitës dhe kryetares së Kuvendit. Topalli ngul këmbë që fjala e deputetëve të përqendrohet në rendin e ditës, ndërsa deputetët socialistë kërkojnë të flasin për situatën e krijuar në KQZ. Pasi i ndërpreu fjalën deputetes Arta Dade dhe u tërhoqi vëmendjen disa të tjerëve, Topalli i dha fjalën kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi.
Duke iu drejtuar maxhorancës, e cila sipas tij nuk është më e tillë, Ruçi kërkoi që deputetëve të opozitës të mos u cenohet e drejta e fjalës.
“Jemi dy muaj para zgjedhjeve. KQZ është inekzistente. Ka vdekur besimi i shqiptarëve te vota e lirë. Si nuk keni turp dhe më thoni plotëso brenda 48 orëve vendet. Cilat vende, të atij institucioni që ju e përdhosët?
Maxhoranca është populli. I keni mbledhur shifrat? Jeni në opozitë me votën e popullit. Kryefjala e deputetëve të opozitës do të jene vetëm këto probleme, prandaj kërkoj nga ju të lini deputetët e opozitës të shprehen”, tha Ruçi.
Topalli “bën të vdekur” Ilirian Muhon: Shkojini në shtëpi për të tretat
11:20 – Ndërsa kryeparlamentarja Topalli e cilësoi fjalën e deputetëve të PS-së si “zia për të tretat” e Ilirian Muhos.
“Mesa shoh unë, ndjesë pastë, Ilirian Muho paska të tretat sot. Për të tretat shkohet në shtëpi, jo në Parlament”.
Braçe: Shteti ligjor nuk ekziston, Kuvendi ka humbur legjitimitetin
11:10 – Deputeti socialist, Erion Braçe, u shpreh se me votimin në seancën e kaluar, Kuvendi ka humbur legjitimitetin. Duke iu referuar votimit për shkarkimin e Ilirian Muhos nga KQZ-ja, Braçe tha se ky veprim tregon se shteti ligjor nuk ekziston më.
“Shteti ligjor që nga seanca e shkuar nuk ekziston më. Patenta më e rëndësishme europiane në Shqipëri nuk ekziston. I keni hequr legjitimitetin Kuvendit. Funksionaliteti i KQZ-së që u cenua qartësisht seancën e shkuar e ka zhbërë patentën europiane për zgjedhje të lira. Pa u kthyer në legjitimitet puna e këtij Kuvendi dhe pa u kthyer në legjitimitet KQZ, MSA nuk ka asnjë lloj vlere. Patenta e pronësisë intelektuale nuk ka asnjë kuptim, nëse merren vendime për emërime dhe shkarkime nga institucionet sa herë doni ju”, tha Braçe.
Dade: Berisha, patentë për vjedhjen e zgjedhjeve. Topalli i ndërpret fjalën
10:40 – Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate që në minutat e para. Kryeparlamentarja Topalli i dha fjalën deputetes socialiste, Arta Dade, për t’i hequr këtë mundësi vetëm disa sekonda pasi ajo kishte nisur të fliste. Në fjalën e saj, Dade e vuri theksin te zgjedhjet dhe dhunimi i KQZ-së, por Topalli i ndërpreu fjalën me argumentin se “je jashtë rendit të ditës”.
“S’ka asnjë dyshim se patentën për manipulimin e zgjedhjeve, për dhunimin e institucioneve të lira e mban Sali Berisha. Në 23 qershor, zgjedhësit do t’i japin dënimin e merituar këtij njeriu që i ka vënë njollën Shqipërisë, i vetmi vend në Europë që nuk zhvillon zgjedhje të ndershme….”, tha Dade.
Edhe ty do te vijme per te tretat mi b.xhelle mos u merzit prit edhe pak.
Pershtyni ato deputet te dale nga PS (Islami ko) qe veperuan ne menyre qe kjo zj e parlamentit flet per vdekje.a thua se kjo zonje do te shpetoje nga trediteshat veten atehere kur nuk do kete me islamet qe e mbajne.