Për të përfituar një pension të plotë duhen plotësuar dy kushte kryesore, që janë mosha (e cila është 65 vjeç për meshkujt dhe 60 për femrat), si dhe vjetërsia në punë (35 vite), ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për meshkujt dhe koha e studimeve universitare për femrat. Çdo kategori që për arsye të ndryshme nuk është pjesë e skemës së detyruar mund të sigurohet për vitet e mbetura për të marrë përfitim të pjesshëm apo të plotë të pleqërisë. Në çdo moment të jetës së tij personi duhet të jetë i siguruar. Personat të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, duhet të jenë klientë të skemës së sigurimit vullnetar për të qenë në vazhdimësi të siguruar. Aktualisht ka shumë qytetar që janë në prag përfitimi, por që ju mungojnë 1 ose disa vite sigurimi. Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin. Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm. Kategoritë që për motive të ndryshme, nuk i plotësojnë vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, që aktualisht janë 35 vite pune si për burrat dhe për gratë, atëherë ata mund të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pra të marrin pensionin për aq vite pune sa kanë investuar në skemë, por jo më pak se 15 vite gjithsej. Këtë masë nuk e përfitojnë dot personat që kanë punuar në punë të kategorisë së parë apo të dytë, pasi ligji përcakton ndryshe për ta. Pensioni i pjesshëm caktohet si pjesë e pensionit të plotë. Ky pension llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit dhe duke bërë pjesëtimin me 35. Për efekt llogaritjeje edhe pensioni i pjesshëm llogaritet njëlloj si pensioni i plotë i pleqërisë. Masa e pensionit të pjesshëm korrigjohet me raportin midis viteve të punës që ka pensionisti pjesëtuar me 35 vite aq sa kërkon ligji. Krahas përfitimit të pjesshëm mund të aplikohet edhe për pension të reduktuar. Sipas ekspertëve të ISSH-së, pamundësia e ndjekjes së skemës së detyruar nga personat që mund të aplikojnë për pension të reduktuar është e ndryshme, mund të jenë larguar jashtë vendit, mund të kenë arsye të ndryshme familjare, mund të kenë një gjendje jo të mire shëndetësore, gjendje që nuk i vendos në kushte përfitimi për të marrë pension invaliditeti etj. Të drejtën e marrjes së pensionit të reduktuar e përfitojnë personat e siguruar kur kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurim, kanë mbushur moshën, 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë si dhe kur mosha e daljes në pension të plotë pleqërie sipas nenit 92, është më e madhe se këto mosha. Megjithatë është e detyrueshme që këto kategori të vërtetojnë se nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Skema përcakton që nuk mund të aplikojnë për pension të reduktuar të gjithë ata persona që kryejnë veprimtari ekonomike në të gjitha format, të punësuar, punëdhënës, apo të vetëpunësuar, përfshirë dhe të vetë punësuarit në bujqësi. Çka do të thotë se personat e vetëpunësuar në bujqësi nuk mund të aplikojnë për pension pleqërie të reduktuar mbasi ata e kanë objektin e punës, tokën në pronësi, apo përdorim, të blerë ose me qira, pra i kanë të gjitha kushtet për të ndjekur skemën e detyrueshme duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore deri sa të plotësojnë kushtet për pension të plotë pleqërie.