Dy studime të ndryshme mbi marrëdhëniet në çift, kanë dalë në të njëtin përfundim: një raport i fortë dhe i qëndrueshëm është ai që ndërtohet nga dy persona të ngjashëm. Të përbashkëtat në sjellje, preferenca dhe fizik midis një çifti i shtojnë mundësitë që ai të jetë jetëgjatë
Njerëzit që kanë personalitete të kundërta më mirë të mos e marrin mundimin që të krijojnë një marrëdhënie. Statistikat tregojnë se çiftet jetëgjata dhe të konsoliduara janë ato që përbëra nga partnerë të ngjashëm. Studimi pesëvjeçar i udhëhequr nga një grup psikologësh me në krye Beatriçe Ramstedt nga Instituti i Shkencave Sociale “GESIS Leibniz” në Manheim të Gjermanisë ka hedhur poshtë mitin sipas të cilit dy njerëz të kundërt tërhiqen më shumë. Përfundimet e studimit të publikuar në revistën “Personality and Individual Differences”, ku u përfshinë 5000 çifte, treguan se brenda harkut kohor të pesë viteve, ishin ndarë 93% e çifteve që ishin formuar nga partnerë me personalitete të kundërta ose shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Për më tepër, përputhshmëria midis ish të dashururarve ishte zvogëluar edhe më shumë në fund të lidhjes, në krahasim me fillimin e marrëdhënies.Psikologët gjermanë mblodhën të dhëna mbi karakterin e secilit partner, informacione që tregonin se sa në harmoni ishin ata me njëri-tjetrin në fillim të raportit dhe se çfarë ndryshimesh pësonin gjatë kohës.
Pak kohë më parë edhe psikologu britanik Glen Uilson, i cili mori në studim 2 mijë vullnetarë, doli në përfundimin se në një raport dashuror tipat e ngjashëm tërhiqen, ndërsa tipat e ndryshëm dhe të kundërt ndahen shpejt. Uilson krijoi një strukturë për të matur përshtatjen në çift, “koeficientin e përputhjes” dhe rezultati i studimit të tij ishte i qartë: janë ngjashmëritë ato që garantojnë jetëgjatësinë e një çifti. Në pyetësorin e tij psikologu mori në konsideratë një gamë të gjerë karakteristikash fizike dhe psikologjike, si: paraqitjen, perceptimin e bukurisë dhe inteligjencës vetjake, preferencat muzikore, opinionet politike, sjelljet e ndryshme dhe stilin e jetës. Çiftet e qëndrueshme dhe të konsoliduara janë pikërisht ato që kanë koeficientin e përputhjes së personaliteteve më të lartë. Kur ky element është në një stad të përparuar midis dy personave që sapo janë njohur me kalimin e kohës ai ndikon edhe në rritjen e tërheqjes fizike midis tyre. Pra, partneri me të cilin shkojmë më shumë është ai që na ngjan në personalitet, fizik, sjellje dhe preferenca.
Përgatiti: Dorina Gjuzi