Ashtu siç pritej mbledhja e sotme e KQZ-së është shoqëruar me debate. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, e ka cilësuar ditë të zezë vendimin për largimin nga detyra të anëtarit të LSI-së nga KQZ-ja. “E hoqën kolegun tonë e hoqën si të ishte përfaqësues partie në KQZ. Personalisht jam shumë i tronditur nga ngjarja dhe ka qenë ditë e zezë dhe do bëhet më e zezë nëse ata në parlament do e votojnë këtë”, tha Biba. Ndërsa kryetarja Lefterie Lleshi ka kërkuar që Biba të mos dalë jashtë rendit të ditës. “Është diskutim politik dhe kjo tavolinë nuk e pranon një diskutim të tillë”, tha ajo. Biba vijoi duke argumentuar mospajtimin e tij me vendimin e Komisionit të Ligjeve, ndërsa në mbështetje të këtij diskutimi u shpreh edhe Albana Shtylla.
“Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë. Këta anëtarë po trajtohen si kukulla lecke dhe sa herë që i gjithëpushtetshmi kërkon të ndërrojë anëtarët e KQZ. Janë në kundërshtim të plotë nga çka thënë partneri ndërkombëtar. Është në nderin tonë t’i përmbahemi raporteve të OSBE-ODHIR, që thotë larg duart nga KQZ. Ju ftoj të reagoni se jo pak herë me fjalë keni kërkuar që politika të rrijë larg KQZ, bëjeni këtë me vepra dhe jo me fjalë të bukura, zonja kryetare”, tha Shtylla.
Më tej, anëtari i djathtë i KQZ-së, Njazi Kosovrasti, kërkoi të vijohet me rendin e ditës. “Mënyra sesi e filluat mbledhjen cenon kodin zgjedhor. Nuk mundeni ju anëtarë të KQZ, të bëni debate politike. Probleme jashtë rendit të ditës i sjellim ne në tavolinën tua”. Pas debateve, anëtarët e majtë braktisën mbledhjen e sotme të KQZ. Në mbledhje mungonte përfaqësuesi i LSI-së, Ilirian Muho.