Berisha dhe Basha po përpiqen të ngulin në memorien e shoqërisë si gjest pozitiv faktin që kanë vrarë dhe si gjest negativ faktin që opozita ka protestuar. Edhe pse është përpjekje e dështuar, ky është një qëndrim shumë regresiv, pasi tenton t’i japë të drejtë vrasjeve politike në vend dhe t’i institucionalizojë ato si një e drejtë e pushtetit. Biles aq shumë e tradhtoi Sali Berishën inkoshienca e tij në këtë rast, sa i vlerësoi ato si ngjarja më e rëndë në këtë vend që nga viti 1924. Pra, Berisha fshiu gjithë periudhën e regjimit komunist dhe persekutimet dhe pushkatimet politike të Enver Hoxhës, duke i quajtur të drejta, vetëm që të justifikonte katër vrasjet e tij. Në të vërtetë më 1924 ndodhi vetëm një vrasje politike: u vra Avni Rustemi. Dhe vrasësi e pagoi duke ia mbathur nga sytë këmbët dhe duke u rikthyer me bajoneta ruse dhe serbe në Tiranë. Sali Berisha duket se i trembet më shumë këtij skenari se sa historisë së vrasjeve dhe pushkatimeve politike të komunizmit dhe e tradhtoi veten duke iu referuar 21 Janarit si një 24 Qershor i vitit 1924.
Ky tentim për të justifikuar vrasjet politike dhe për të ndarë shoqërinë pro dhe kundër tyre, është shërbimi më kriminal që këta dy vrasës po i bëjnë historisë së Shqipërisë. Kjo tregon jo vetëm që kanë vrarë me vetëdije, por që duan që këtë vetëdije ta institucionalizojnë si e drejtë e çdo sunduesi për të vrarë për arsye politike në këtë vend. Kjo shpjegon qartë edhe faktin se Sali Berisha bëri kokë turku Azem Hajdarin më 12 shtator të 1998.
Online nga adresa: Gazetatema.net