Të gjithë bizneset që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe janë degë të kompanive të huaja do të duhet të deklarojnë në tatime çdo transaksion mbi 50 milionë lekë në vit, si detyrim që lind nga ligji për transferimin e çmimit.
“Nëse subjekti ka realizuar transaksion shitje apo blerje (pa kompensimin e shitjeve me blerjet) me palët e lidhura, shuma, e të cilave e kalon kufirin e 50 milionë lekëve në vit detyrohet të plotësojë dhe dorëzojë formularin në drejtorinë rajonale tatimore ku është i regjistruar.
Ky deklarim bëhet deri me 31 mars për vitin e shkuar, së bashku më pasqyrat financiare dhe bilancin e shoqërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Tatimet kërkojnë që plotësimi i transaksioneve me palët e lidhura duhet të jetë i saktë për secilën kategori transaksioni. Transferimi i çmimit është në thelb tërësia e transaksioneve, që realizojnë kompanitë në vendin tonë me kompanitë mëma që kryhen përgjithësisht nga shoqëritë multinacionale me vendodhje të veprimtarive të biznesit në shtete të ndryshme, në formën e një filiali degë apo selie të përhershme. Transferimet e çmimit që ndërmerren nga kompanitë multinacionale kanë si qëllim transferimin e fitimeve nga një vend në një tjetër.
Kjo ka bërë që të gjitha shtetet, si ato të zhvilluara dhe vendet kandidate për t’u antarësuar në BE dhe tjera jashtë këtij organizmi, ta shohin më shumë vëmendje trajtimin nga ana fiskale e këtyre transaksioneve, duke përshtatur në mënyrë të vazhdueshme legjislacionin në këtë fushë. Shqipëria sapo e ka miratuar ligjin për transferimin e çmimit, i cili ka hyrë në fuqi vetëm pak kohë më parë.