Duke dëgjuar Berishën nëpër televizione gjatë gjitha pasdites së djeshme dhe duke ndjekur reagimet e mediave për ngjarje të ndryshme njëfarësoj polarizuese, – nuk e shmang dot përshtypjen që Berishën shpesh po e motivon vetëm mllefi, për t’ë bërë punët e veta. Analistë të ndryshëm e kanë vënë re edhe se adoptimi i strukturave dhe i institucioneve perëndimore në Shqipëri është shpesh sipërfaqësor, madje i bërë sa për sy e faqe, ose për t’u konformuar.
Si edhe në disa vende të tjera të Lindjes, “demokracia” erdhi në Shqipëri së prapthi, me bujë e me metingje, jo me institucione. Por deri më sot, nuk ka asnjë shembull në botë që kjo lloj skeme të ketë pasur sukses.
Tradicionalisht, në Perëndim institucionet i kanë paraprirë demokracisë – në kuptimin e ngushtë të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Ato vende si Polonia, Çekia dhe Hungaria që kanë bërë përpara këto 15 vjet i kishin pak a shumë institucionet të ruajtura.
Është vërtet shqetësuese të konstatosh se deri edhe intelektualë që njihen për të mençëm e të ditur mendojnë se liria e fjalës ka vlerë deri atëherë sa nuk janë prekur idhuj që këta i kanë për zemër. Demokracia pa liberalizëm duket se shpie në forma të ndryshme të fashizmit. E kuptuar në mënyrë vulgare, demokracia kthehet në një instrument të shumicës për të shtypur pakicat. Në kushtet e dominimit të komunikimit publik prej mass mediave, vota e popullit – për fat të keq – nuk ka atë peshë që i jepej e që ndoshta kishte dikur. E vetmja shpresë për të ardhmen e qytetërimit perëndimor dhe për dinjitetin njerëzor mbeten kështu institucionet, shteti ligjor, kushtetutshmëria, ndarja e pushteteve, decentralizimi. Dhe sa të jetë një “autokrat blegtoral” si Berisha ën krye të punëve, harrojeni zhvillimin e qëndrueshëm nëpërmjet forcimit të institucioneve.
Email nga adresa: [email protected]