Mozaiku i vendosur në pjesën ballore të Muzeut Historik Kombëtar po dëmtohet. Një numër i madh i pllakëzave përbërëse të tij janë gjetur dje në rrugë. Mungesa e restaurimit dhe mirëmbajtjes si dhe kushtet e këqija të motit gjatë ditëve të fundit rrezikojnë mozaikun me titull “Shqipëria” i ndërtuar në vitin 1981. Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, thotë se objekti ka nevojë për ndërhyrje urgjente.
“Edhe ne i kemi parë copëzat e rëna të mozaikut. Ai ka vite që është në gjendje të keqe. Janë konstatuar problemet që ka dhe dihet që dëmtimi është tërësor, çka e kanë deklaruar specialistët që e kanë parë nga afër. Edhe kushtet atmosferike kanë një ndikim, sigurisht. Megjithatë mozaiku ka një dëmtim të përgjithshëm të strukturës së vet metalike, e cila është ndryshkur. Objekti ka nevojë për ndërhyrje urgjente, ndërkohë që ende s’di të ketë hapa konkrete”, thotë Malltezi.