Denoncimet e grave për dhunë nga ana e bashkëshortëve të tyre, janë të pafundme në gjykata, ndërkohë që disa prej tyre kanë përfunduar në mënyrë tragjike. Por, ka edhe burra që dhunohen nga bashkëshortet e tyre.
Të paktën kështu pretendon 40-vjeçari Konstandin Z., nga Dibra, banues në Paskuqan, i cili pretendon se bashkëshortja e tij, Rudina Z., 36 vjeçe, ushtron dhunë fizike e psikologjike ndaj tij në mënyrë të vazhdueshme.
Ai ka kërkuar nga ana e Gjykatës së Tiranës që ta marrë në mborjtje, pasi bashkëshortja e rreh në sy të pesë fëmijëve të vet.
“Më akuzon se nuk punoj dhe nuk jam i aftë të mbaj familjen. Më ka rrahur disa herë në sy të fëmijëve, më pas i ka rrahur edhe ata. Jetoj çdo ditë nën presion psikologjik dhe kërcënime të vazhdueshme”, ka deklaruar në Policinë e kryeqytetit i dëmtuari, duke pretenduar se ndihet i pambrojtur përballë së shoqes dhe shumë i rrezikuar edhe për jetën, raporton “Panorama”.
Sipas tij, bashkëshortja e ka kërcënuar duke i thënë: “Ke dashur vetëm të bësh fëmijë. Me çfarë do i rrisim kur ti nuk punon? Do të të vras natën. Kur të jesh në gjumë do të të hedh vaj të nxehtë në vesh”.