Augsburgu ka arritur një rezultat sensacional, teksa i ka shkaktuar humbjen e parë Bajernit pas 53 ndeshjeve. Kampionët e Gjermanisë janë dorëzuar në derbi, ku shkuan me një formacion plot ndryshime, por sigurisht që jo për të humbur. Skuadra vendase, e cila lufton për një vend në Europa League dhe shpesh bën futboll të ashpër, e shfrytëzoi në maksimum momentin e miqve. Bajerni e ka siguruar shtatë javë para fundit titullin kampion dhe të mërkurën pret Manchester United në ndeshjen e kthimit çerekfinale për Champions League, e cila tani ka përparësi. Për këtë arsye, Guardiola la pushim pjesën më të madhe të titullarëve, por edhe ata që ishin në fushë nuk patën impenjimin e duhur, aq sa lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall portieri Manuel Neuer, diçka jo e zakonshme në ndeshjen e Bajernit. Në formacionin titullar bavarez pati për herë të parë dy lojtarë shqiptarë, por që përfaqësojnë kombëtare të tjera: Xherdan Shaqiri i Zvicrës dhe Ylli Sallahi i Austrisë. Bajerni reagoi vakët pas golit të pësuar në minutën e 31-të dhe vetëm në njëzet minutat e fundit u përpoq seriozisht të barazonte, për të mbajtur serinë e gjatë fituese. Nuk ia doli, duke ndërprerë jo vetëm ecurinë e rezultateve pozitive, por edhe të ndeshjeve me gola. Bavarezët nuk shënuan për herë të parë pas 45 ndeshjesh, në të cilat kishin shënuar plot 128 herë. Megjithatë, Bajerni është brenda objektivit për të thyer rekordin e vjetshëm të 91 pikëve, arritur nën drejtimin e Jup Hajnkes, të cilit i përkasin edhe një pjesë e ndeshjeve të pathyeshmërisë.