Zgjerohet edhe më shumë dosja e shkeljeve të konstatuara nga njësitë e pushtetit vendor me ndarjen pagesave për familjet e varfra. Kontrollet e kryera në disa komuna të rrethit të Korçës, kanë zbuluar me qindra raste të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar, në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim të plotë më ligjin. Kundrejt këtyre shkeljeve, drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Korçë, ka denoncuar në Prokurorinë e këtij rrethi, administratoren e ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar, pasi ka përfshirë në listë persona dhe familje që nuk përmbushnin kushtet për të qenë pjesë e listës së përfitimeve. Pas kontrollit të nisur që në muajin shkurt 2014 për zbatimin e legjislacionit për përfitimin e pagesës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar, si dhe realizimin e detyrave të lëna nga kontrolli i mëparshëm, u vërejtën shkelje të tjera ndërmjet të cilave: “ Rreth 109 familje kanë përfituar ndihmë ekonomike gjatë vitit të shkuar, në shkelje me kriteret e përcaktuara në ligjin përkatës sa i takon kategorive përfituese, duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit që kap vlerën e 2.429.160 lekëve për vitin 2013”. Më tej sqarohet se edhe 62 familje që në momentin e kryerjes së kontrollit nuk ishin në skemën e ndihmës ekonomike, sepse ishin larguar nga skema nga administratorja, në vitin 2013 këto familje kanë përfituar ndihmë ekonomike, në kundërshtim me ligjin, duke shkaktuar një dëm ekonomik vjetor buxhetit të shtetit prej më shumë se 1 milion lekësh. Gjithashtu janë konstatuar abuzime edhe më ndarjen e pagesës së aftësisë së kufizuar, e cila në dy raste është kryer edhe pagesa për personat para dhe tetraplegjik dhe kujdestarët e tyre, pas vdekjes së personave me aftësi të kufizuar, duke i shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 142000 lekësh. Në një tjetër situatë është vënë re ndarja e kësaj pagese edhe në rastet kur përfituesit i kishte përfunduar edhe afati i përcaktuar në Vendimin e Komisionit Mjekësor, duke shkaktuar një dëm prej 12000 lekësh. “Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi Administratoren e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar të Komunës Qendër Bulgarec , për të cilën është depozituar kallëzim penal në Prokurori nga Drejtoria Rajonale e SHSSH”, sqarohet nga burimet zyrtare të shërbimit Social shtetëror”, sqarohet nga shërbimi Social Shtetëror. Ky institucion, më tej bën me dije se kontrollet e skemës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha rrethet e vendit.