PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 3 Mars 1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Të paraqitet për njohje proces dëshmia e qytetarit Nikolla Kiço, i cili përveç të tjerave, në shpjegimin e tij tregon për sabotimet që ti i pandehur ke kryer sëbashku me armiqtë Abdyl Këllezi, Lipe Nashi, Piro Gushon, Beqir Alinë e persona të tjerë që përmenden në proces dëshmi, në industrinë e naftës e të gazit (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë rreth shpjegimeve të dëshmitarit?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e shpjegova proces dëshminë e Nikolla Kiços, për shpjegimet e tij dua të them se ato janë plotësisht të vërteta dhe unë i pranoj të gjitha çështjet që përmend ai në raste e në fakte konkrete si për sabotimet që ne kemi kryer në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese të naftës dhe ato në sektorin e kërkimeve. Nuk kam asnjë kundërshtim për shpjegimet e këtij dëshmitari.
Pyetje: Të paraqitet për njohje proces dëshmia e qytetarit Petraq Xhaçka, në të cilat vërtetohen sabotimet që ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë ke kryer në industrinë e naftës e të gazit (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’ke për të thënë lidhur me këto shpjegime?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e kuptova dëshminë e Petraq Xhaçkës për shpjegimet e tij, dua të them se ato janë të vërteta, sidomos për çështjen e planifikimit dhe të mbingarkesës së vendburimeve. Për këto çështje janë të vërteta edhe bisedat që përmend Petraqi dhe në fakt ai ka kundërshtuar për këto veprimet tona, kryesisht të miat, të Abdylit dhe të Lipes, por ne nuk e kemi dëgjuar. Për pusin Ballsh-26 më është thënë nga vetë Petraqi se duhej bërë ky çpim dhe nga Instituti i ishte lënë vetë ndërmarrjes që ta bënte dhe unë atëherë i kam thënë që le ta bënin, pse nuk po e bënin?
Pyetje: Të paraqitet proces dëshmia e qytetarit Robert Kokonozi, i cili shpjegon për sabotimet që ti ke kryer sëbashku me armiqtë e tjerë në shfrytëzimin barbar të vendburimeve ekzistuese të naftës (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë lidhur me këto shpjegime?
Përgjigje: Pasi i lexova dhe i kuptova shpjegimet e Robert Kokonozit, kam për të thënë se ato janë plotësisht të vërteta dhe i pranoj. Në fakt, ashtu si thotë Roberti, ne kemi vepruar për sabotimin e vendburimeve ekzistuese të naftës.
Pyetje: Të paraqitet për njohje proces dëshmia e qytetarit Vlash Laçka, i cili ndërmjet të tjerave shpjegon për presionet që u ke bërë punonjësve të naftës ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë me qëllim që të realizonit synimet tuaja sabotuese në industrinë e naftës e të gazit (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’ke për të thënë lidhur me shpjegimet e dëshmitarit?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e kuptova dëshminë e Vlash Laçkës, them se edhe shpjegimet e këtij dëshmitari janë të vërteta. Është e vërtetë, siç thotë dëshmitari, që unë u kam bërë presion atyre që të realizonim sabotime në shfrytëzimin barbar të vendburimeve ekzistuese të naftës, pasi ata kundërshtonin hapur urdhërat armiqësor që jepja unë, Abdyl Këllezi, Lipe Nashi e Beqir Alia.
Pyetje: Të paraqitet për njohje proces dëshmia e qytetarit Petrit Sadushi, i cili shpjegon për miratimin që ti i pandehur sëbashku me armikun Kiço Ngjela keni dhënë për të kontraktuar direkt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës blerjen e një makine llogaritëse elektronike dhe mbi sabotimet që ti ke kryer në drejtim të kryerjes së punimeve sizmike (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë lidhur me këtë çështje?
Përgjigje: Pasi i lexova dhe i kuptova shpjegimet e Petrit Sadushit, lidhur me to kam për të thënë se janë të vërteta dhe unë i pranoj. Si për kontraktimin e blerjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të makinës elektronike dhe për nënvleftësimin e punimeve sizmike, unë kam dhënë shpjegime në proceset e mëparshme hetimore. Edhe këto veprime janë realizim i pikëpamjeve të mia armiqësore të cilat unë i kam pohuar me hollësi në hetuesi.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 5 Mars 1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Të paraqesim për njohje dëshminë e qytetarit Muzak Kallajxhi, i cili ndërmjet të tjerave jep shpjegime për shkeljen e normave të Partisë që ti i pandehur ke kryer në organizatën bazë për decentralizimin revizionist që ke kryer sëbashku me armikun Abdyl Këllezi në Ministrinë e Industrisë e Minierave, për sabotimet në kërkimet gjeologjike, për përpjekjet që ke bërë për të disinformuar KQ të Partisë dhe Qeverinë nga njohja e gjendjes reale në sektorin e minierave dhe për veprime të tjera armiqësore që ke kryer (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë lidhur me shpjegimet e dëshmitarit?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e kuptova dëshminë e Muzak Kallajxhiut, kam për të thënë se shpjegimet e tij janë të vërteta me përjashtim të disa çështjeve. Është e vërtetë që unë i kam shkelur normat e Partisë në organizatën bazë siç thotë dëshmitari, por nuk është e vërtetë që të jem hakmarrur ndaj Muzak Kallajxhiut e Mirush Putos që i kam transferuar. Transferimin e tyre e bëra për qarkullim se kishin shumë vjet në ministri, bile unë jam fajtor që pse nuk i kisha qarkulluar më parë, por i mbaja si specialistë dhe se isha kundër çështjes së qarkullimit. Lëvizjen e tyre e bëra sepse mendoja se s’kisha çfarë të bëja, bile Muzakun, mbas dy-tre vjetësh e mora përsëri drejtor po në ministri.
Shpjegimet për decentralizimet që kam kryer janë plotësisht të vërteta dhe dua të sqaroj se Muzaku jo vetëm që nuk më ka kundërshtuar mua për këto çështje, por ka qenë një nga personat më entuziastë për këto veprime decentralizuese revizioniste, bile ai më ka thënë mua dhe ka propozuar të dilte jashtë ministrisë e gjithë Drejtoria e Mineraleve si Drejtori Qendrore me kompetenca të plota, gjë që ishte një avancim më i madh në realizimin e decentralizimit të aparateve dhe futjen e tyre të plotë në rrugën e vetadministrimit revizionist. Ky propozim i tij nuk u pranua sepse ishte shumë i avancuar. Kredinë që thotë Muzaku, ua ka hequr minierave Abdyl Këllezi dhe jo unë.
Shpjegimet e Muzakut për veprimet e mia lidhur me paraqitjen e gjendjes jo realisht KQ të Partisë e të Qeverisë, janë të vërteta. Edhe rastet që përmend ai janë të vërteta, unë ashtu kam vepruar dhe për sektorin e minierave. Po kështu edhe shpjegimet për kërkimet gjeologjike janë të vërteta dhe i pranoj.
Të gjitha çështjet e tjera që shpjegon Muzaku në dëshminë e tij janë të vërteta dhe i pranoj. Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Pyetje: Të paraqesim për njohje proces dëshminë e qytetarit Thoma Kuka, i cili shpjegon sabotimet e ndryshme që ti i pandehur ke kryer në drejtim të qymyreve, në djegien e naftës, në fryrjen e aparateve, për shkeljen e normave të Partisë në organizatën bazë dhe për veprime të tjera armiqësore (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë lidhur me këto shpjegime?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e kuptova proces dëshminë e Thoma Kukës, kam për të thënë se shpjegimet e tij janë të vërteta dhe i pranoj, qoftë për shkeljen e normave të Partisë në organizatën bazë edhe për sabotimet e djegies së naftës dhe nënvleftësimin e shpërdorimin e qymyrgureve. Është e vërtetë se është bërë një studim për qymyret siç thotë Thomai dhe unë kam vënë shënimin: “Ky material të mos dalë jashtë ministrisë”, sepse ishin shpërdorime të mëdha dhe nuk doja të merreshin vesh. Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Pyetje: Të paraqesim për njohje proces dëshminë e qytetarit Halil Osmani, i cili ndërmjet të tjerave shpjegon se si ti i pandehur ke kryer veprimtari armiqësore në injorimin e rolit udhëheqës të organizatës bazë të Partisë, për sabotimin e normave të Partisë që kishin të bënin me qarkullimin e kuadrit të vijës së masave, për sabotimet që ke kryer në drejtim të decentralizimit revizionist të aparateve etj. (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë lidhur me të?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e kuptova dëshminë e Halil Osmanit, për shpjegimet e tij dua të them se: ato janë të vërteta dhe unë i pranoj sepse çështjet që tregon Halili janë rezultat i realizimit të veprimtarisë time armiqësore. Çështjet që përmend dëshmitari, si për kundërvëniet e mia ndaj organizatës bazë, për krijimin e drejtorive, për kërkimet minerare, janë ashtu siç thotë Halili. Edhe për qarkullimin e kuadrit e vijën e masave unë kam vepruar kundër normave të Partisë, por dua të sqaroj se listat e qarkullimit të kuadrit i bënin grupet e punës që caktonte vetë organizata e Partisë e nuk i bëja unë, por është e vërtetë që unë nuk doja të qarkullonon specialistët e vjetër që i quaja të aftë. Këto çështje unë i kam shpjeguar në proceset e mia hetimore duke përfshirë këtu edhe çështjen e kërkimeve minerare në Alpe. Çështja e sigurimit teknik në miniera, në radhë të parë ka qenë detyrë e vetë drejtorisë. Tjetër gjë nuk kam për të thënë lidhur me dëshminë. Me dëshmitarin marrëdhëniet i kam patur shumë të mira, thjesht pune, nuk kemi patur ndonjë armiqësi.
Pyetje: Të paraqitet për njohje dëshmia e qytetarit Pavllo Rroko, i cili ndërmjet të tjerave shpjegon për presionet që i keni bërë herë pas here ti dhe armiku Abdyl Këllezi për të realizuar sabotimet edhe në UMB-në në Durrës (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë i pandehur lidhur me shpjegimet e dëshmitarit?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e kuptova dëshminë e Pavllo Rrokos, lidhur me të kam për të thënë se: është e vërtetë që Pavllo Rrokos, si nga Abdyl Këllezi dhe nga unë i janë bërë presione për këto çështje që ai përmend në dëshminë e tij. Veçanërisht Abdyl Këllezi ishte shumë i egërsuar me Pavllon për letrat që ai dërgonte në udhëheqjen e Partisë e të Qeverisë, në të cilat ai ankohej ndaj nesh dhe kërkonte që t’i jepeshin fondet e nevojshme për prodhimin e makinave bujqësore. Në fakt, Pavllua kishte të drejtë për shtimin e këtyre fondeve se i ishin dhënë pak nga Komisioni i Planit, por Abdyli nuk pranonte t’ja shtonte. Rastet konkrete që përmend Pavllua, mua të gjitha nuk më kujtohen, por ato duhet të kenë ndodhur ashtu siç thotë ai, bile në një nga këto raste, kur u acarua keq Pavllua me Abdyl Këllezin, në një pushim, unë i thashë Pavllos që të mos insistonte aq shumë, se do ta rregullonim ndryshe atë punë me qëllim që ta qetësoja, por Pavllua qëndronte në kërkesat e tij. Dua të shtoj se me sa di unë, Instituti e ka ndihmuar çështjen e teknologjisë së prodhimit të makinave bujqësore, kështu që në këtë drejtim Pavllua është tendencioz. Marrëdhëniet me Pavllo Rrokon kurdoherë i kam patur shumë të mira, marrëdhënie pune.
Pyetje: Të paraqitet për njohje dëshmia e qytetarit Andrea Adhami, i cili tregon për veprime të ndryshme armiqësore që ke kryer në Ministrinë e Industrisë e Minierave (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë rreth dëshmisë?
Përgjigje: Pasi e lexova dhe e kuptova dëshminë e Andrea Adhamit, lidhur me to kam për të thënë se unë e pranoj plotësisht, është e vërtetë që ato çështje që shpjegon Andrea unë i kam bërë, por dua të shtoj se edhe Andrea e ka patur tendencën për të fryrë byrotë teknologjike. Një gjë të tillë ia ka kërkuar drejtorit të industrisë së drurit Irfan Mekos dhe Zëvendës Ministrit përkatës, Rami Shehut. Me Andrenë marrëdhëniet i kam patur të mira.
Pyetje: Po të paraqitet për njohje dëshmia e qytetarit Xhavid Hatibi, i cili tregon për sabotimet që ke kryer në sektorë të ndryshëm të ekonomisë (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’ke për të thënë?
Përgjigje: Dëshminë e Xhavid Hatibit e lexova dhe e kuptova. Shpjegimet e Xhavidit i pranoj, por dua të sqaroj se unë jam interesuar në fakt për minierën e Valiasit që të bëhej shpejt, gjithashtu unë jam përpjekur që të zhvillohej gjeologjia e qymyreve. Marrëdhëniet me Xhavidin i kam pasur të mira, thjesht pune.
Pyetje: Të paraqitet për njohje dëshmia e qytetarit Mirush Puto, i cili shpjegon për veprimtarinë armiqësore që ke kryer në drejtim të fryrjes së byrove teknologjike (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë rreth kësaj çështje?
Përgjigje: Dëshminë e Mirush Putos, pasi e lexova dhe e kuptova, lidhur me të sqaroj se ngjarja ka ndodhur siç thotë Mirushi, kam thënë që të ngrihej një byro teknologjike, që t’i bënte ballë edhe teknologjisë së uzinës dhe çështjeve të remontit. Byroja teknologjike në atë uzinë është ngritur e fryrë, por mua nuk më kujtohet që të kem thënë që ajo byro të ngrihej me 80 veta. Tjetër gjë nuk kam. Edhe me Mirush Puton marrëdhëniet i kam pasur të mira.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Tiranë më datën 06.03.1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime për veprimtarinë armiqësore që ke zhvilluar kundër Pushtetit Popullor.
Përgjigje: Para se të kaloja në këtë sektor, dija që Rami Shehu (ekonomist me arsim të lartë), ishte transferuar nga kombinati i tekstileve Stalin në ish-Ministrinë e Industrisë. Ramiun e kam njohur që nga viti 1966, koha në të cilën ai ishte drejtor i drejtorisë së bilanc-materialeve. Gjatë veprimtarisë së tij, deri në vitin 1974, kam këto konstatime për të thënë:
Kam mësuar me vonesë nga punonjësit e aparatit se Rami Shehu, në drejtorinë që drejtonte ai, vendoste punonjës sipas politikës personale, elementë të cilët vepronin sipas dëshirës së tij dhe nuk merrte parasysh biografinë e tyre. Ka pasur raste që Ramiu, për ndonjë punonjës që s’i bindej, emrat s’më kujtohen, për hakmarrje i ka transferuar në ndonjë ndërmarrje tjetër, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me degën e kuadrit.
Në vitin 1969, Ramiu fillimisht është shfaqur kundra krijimit të DFM-së dhe arsyetonte sikur nuk e kuptonte rolin e saj (Kjo qëndroi edhe mbas vitit 1975, por në formën e një ndërmarrje të madhe me disa degë në rrethe). Pasi u krijua kjo drejtori, ai bëri shumë përpjekje për ta zgjeruar atë në vetvete si organikë, me një sërë ndërmarrjesh e degë (axhensi) të fryra me organika, bile ai krijoi edhe ndonjë axhensi të panevojshme si ajo e Gjirokastrës. Gjatë veprimtarisë së tij, Ramiu përpiqej dhe qëndronte sa më i shkëputur ndaj lidhjeve që duhej të mbante me Zëvendës Ministrin përkatës (Kristo Themelkon), gjë të cilën ja kemi vënë edhe në dukje. Në përgjithësi drejtoria ka bërë një punë të mirë, për arsye se u zbraz materiali, lëndët e para voluminoze u përqëndruan në Durrës, duke i dislokuar ato në mjaft pika brenda territorit të vendit dhe sa më afër ndërmarrjeve konsumatore, të cilat patën një furnizim më të rregullt. Pavarësisht nga kjo, në disa raste, si rezultat i mosmbajtjes së lidhjeve sa dhe si duhet me bazën për furnizim pa ndërprerje, pati uzina si ajo e elektromotorëve në Tiranë, reparti i metalurgjisë në Elbasan, të cilat kanë ndërprerë punën për mungesë furnizimi për disa ditë.
Nga fillimi i vitit 1973, mbas ndarjes së ministrisë, Rami Shehu u emërua Zv. Ministër në vend të Kristo Themelkos dhe kishte në vartësi sektorin e bilanc-materialit, planifikimin e industrisë pyjore etj. Gjatë kryerjes së detyrës, Rami Shehu ka patur raste që nuk ka bashkëpunuar me pushtetin në bazë, me masat dhe ka manifestuar sjellje korrekte etj. E them këtë se në një rast në zyrën time ka ardhur kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit, Bexhet Zagoriçani, i cili më është ankuar se Ramiu kishte qenë në Pogradec për të parë disa probleme të ndërmarrjes së sharrave Beshnicë. Para se të shkonte Ramiu, nuk ishte paraqitur në Komitetin Ekzekutiv për të bashkëpunuar me shokët, gjë të cilën nuk e kishte bërë edhe në kthim. Për të zgjidhur këtë ankesë, unë thirra në zyrën time Ramiun që ishte edhe Zv. Ministër, për ta ballafaquar me Bexhetin. Pasi e njoha me pretendimet që kishte kryetari i këtij Komiteti, Ramiu filloi të justifikohej se gjoja nuk kishte gjetur njerëz të sektorit të industrisë në Komitet etj. Mbas shumë përpjekjesh e pranoi formalisht kritikën.
Sajoheshin herëpashere, në fusha të ndryshme, grupe gjoja sabotatorësh, gjoja armiqësore. Kjo bëhej për të justifikuar në popull dështimet në ekonomi, dështimin e sistemit. Kështu justifikohej para popullit edhe pastrimi i kundërshtarve dhe i të dyshuarve në udhëheqjen e partisë, të ushtrisë etj.
Ah,more Koco Theodhosi, po pse more burre i dheut ke thene se je armik kur ti ke punuar me ndershmeri per popullin?! S’kam njohur as tyj, as Abdyl Kellezin por te tjere me kane fole per ju fjalet me te mira( ndjese paci).
More, c’ju bente ai Gjika nga Terbaci ne hetuesi, sipas mesimeve te shokut Enver qe cburreroheshit ne kete fare feje?! Te me falni, por kete une s’ju a fal, ju doja te vdisnit si heronj! Edhe nje here te me falni, une nuk e provova hetuesine e Enverit se mund te isha treguar me i gjunjezuar se ju. Ndoshta?!Kam lexuar dicka qe lidhet me hetuesine.
Pas Lufte, ministri i Sigurimit te Shtetit, Abakumov, kishte arrestuar disa gjenerale te cilet ne hetuesi deshmonin kunder mareshallit Zhukov( atehere tre here hero, mareshalli me i shquar). Stalini hezitonte, kerkonte prova qe Zhukovi qe armik. Abakumovi i thote se prova jane deshmite e gjeneraleve ne hetuesi!
Degjo ketu i thote Stalini, ato s’jane prova, edhe ti po te perfundosh ne hetuesi, ata te bejne te pohosh se je biri i Cerrcillit!
Zhukovin nuk e arrestuan ndersa Abakumovi u pushkatua nje vit pas vdekjes se Stalinit!
O te ndjeret Koco Theodhosi, Beqir balluku, Hito Cako, Petrit Dume, Kico Ngjela e co, po cfare deshet qe diten hanit buke ne nje tavoline me diktatorin, ndersa naten kompllotonit kunder tij?!
Hallal e kini plumbin karrierista!