35 pengje të huaj që mbaheshin në Amenas, Algjeri, dhe 15 sekuestruesit e tyre, mes të cilëve lideri Abou Al Bara, janë vrarë. Lajmin e jep televizioni Al Jazeera, sipas të cilit pengjet dhe pengmarrësit janë vrarë gjatë një sulmi të ushtrisë algjeriane.
Sipas disa burimeve pranë grupit terrorist që kontrollon zonën naftëmbajtëse ku ndodhi ngjarja, një grup milicësh dhe pengjet janë vrarë ndërsa transportoheshin me një nga autobusët që përdorte kompania e naftës. Autobusi është qëlluar nga ajri nga ushtria algjeriane.
“Situata është shumë e rrezikshme. Ushtria algjeriane duhet të tërhiqet dhe të nisë bisedimet, në mënyrë që të kursehen jetë njerëzish”, apeloi dje një prej pengjeve.
Lideri i grupit terrorist, Al Bara, i cili është mes të vrarëve tha dje se pengjet ishin 41, por pak orë pas kësaj deklarate, televizioni algjerian tha se 15 kishin arritur të arratiseshin.
Mësohet se pengjet ishin nga vende të ndryshme si Norvegjia, Franca, SHBA-të, Britania, Rumania, Kolumbia, Tailanda, Filipinet, Irlanda, Japonia, Korea Jugore dhe Armenia.