Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Ismail Qemali nuk u kursye kurrë për atë që kërkohej të ndihmohej vendi dhe mundësitë që ai kishte. Vitet 1912-14 ishin të rënda në Shqipëri, qoftë nga brenda, qoftë dhe nga jashtë. Nga Shqipëria e Jugut kishin lënë trojet dhe shtëpitë mijëra muhaxhirë. Në këtë gjendje, Ismail Qemali në bashkëpunim me parësinë e Vlorës vendosën të krijohej Komiteti i Shpëtimit Publik, dhe përmes njërit nga Komisionet e këtij komiteti iu kërkua Princ Vidit, KNK-së dhe Fuqive të Mëdha ndihma, duke sjellë në vëmendje edhe mbajtjen nën pushtim të tokave shqiptare nga Greqia në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës dhe Protokollit të Korfuzit, të cilin e kishin nënshkruar dhe grekët.
Pa hyrë në detaje edhe më të holla, Ismail Qemali në këtë kohë përveçse iu gjend afër popullit shqiptar, ai falë përvojës diplomatike, i bënte një shërbim të rëndësishëm vendit, lidhur me një axhendë diplomatike të nevojshme konkrete. Gazeta “Populli” sjell një informacion interesant të kohës lidhur me qëndrimin e Ismail Qemalit në një situatë të tillë dramatike: “Ne kemi mbetur në një vend të pakët dhe të ngushtë. Mijëra njerëz ndodhen në mjerim e në të keqe. Në njërën anë deti, në anën tjetër armiku: kush është atdhetar dhe njeri të mos kursejë as shpirtin për t’i qëndruar këtij rreziku. Vetëm me fuqinë tonë të përpiqemi të kapërcejmë këtë rrezik e t’i themi Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë. E drejta jonë nuk arrin për të kapërcyer rreziqet tërësisht, por të kujdesemi e të lypim prej Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë”.
Pas këtyre ngjarjeve në gusht të vitit 1914 ai shkon në Romë, për ta përdorur dhe në këtë rast këtë pozicion për të marrë kontakte më të drejtpërdrejta me faktorin ndërkombëtar lidhur me problemet që kishte vendi i tij. Për arsye të ditura historikisht, Ismail Qemali u përball në të shumtën e rasteve me një lloj arrogance dhe nënvleftësimi të faktorit ndërkombëtar lidhur me çështjet shqiptare. Lufta e Parë Botërore do të ishte një problem i vështirë për Shqipërinë. Pasi Fuqitë e Mëdha kishin marrë nën kujdes vendin, ata kurrë nuk u interesuan dhe as patën një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja dhe nga kaosi në të cilën ajo u gjend qoftë nga tendencat e brendshme politike, po ashtu dhe ata të huaja, veçmas të fqinjëve. KNK-ja gjatë kësaj kohe u bë inekzistente në Shqipëri. Në rrethanat e “iniciativave” të ndryshme, qoftë të forcave qeveritare, ato antividiste, ato të agjentëve turkomanë, ato greke dhe të qarqeve të tjera, të cilat vepronin në vend, Ismail Qemali kërkonte ruajtjen e flamurit shqiptar dhe mospërdorimi i flamurit turk, me ç’rast forcat greke do të kishin një pretekst më shumë që të ndërhynin në Vlorë, duke dhënë dhe këshillime për sigurimin e vendit me forcat lokale.
Ndër këshillimet e mençura të Plakut të Vlorës në këtë kohë, lidhur me tendencat dhe qëndrimet pro dhe kundër për zhvillimet në Jugun e vendit, Qeverinë e Durrësit, çështja e muhaxhirëve, antividizmin dhe zhvillime të tjera, të cilat kishin angazhuar mjaft njerëz të niveleve të ndryshme në Vlorë, Durrës, Shijak, në Jug e gjetkë, ishte që ato të interpretoheshin si zhvillime të brendshme për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë dhe Flamurin kuq e zi.
***
Gjatë Luftës së Parë Botërore Ismail Qemali qëndroi në Itali dhe në Francë, duke ndjekur me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, e cila ishte vazhdimisht e rrezikuar nga palët ndërluftuese, pavarësisht se ishte një vend që kishte dakordësinë ndërkombëtare si shtet. Për fatin e keq, dy fuqitë ndërluftuese të kësaj drame zhvillonin luftime edhe në Shqipëri. Në këto rrethana, Ismail Qemali kuptonte rrezikun që i kanosej pavarësisë së vendit, kështu që në vitin 1915, në gazetën franceze “Le Matin” ai fliste se Shqipëria, e cila që në vitin 1913 ishte një shtet më vete, e kishte humbur pavarësinë sepse “u shtrëngua nga të gjitha anët prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve” dhe u kërkonte francezëve t’i ndihmonin shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi ata janë të besës dhe në ditët e duhura ata të vijnë në ndihmë. Por kjo thirrje nuk u dëgjua nga francezët, ndryshe ata bënin plane kundër Shqipërisë.
Ismail Qemali, për fatin e vendit të tij, kishte një qëndrim gati të formuar lidhur me fatin e luftës, duke pasur një lloj besimi tek forcat e Antantës, për një arsye të thjeshtë, sepse ata llogarisnin në krahun e tyre edhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por një kumtesë e tillë nuk arriti të bëhet publike, për shkakun e kundërshtimit të Francës dhe Rusisë, sepse ishin kundër lëshimeve që i bëheshin Italisë në këtë rast, që sipas qarqeve diplomatike të kohës, shqiptarëve në vitin 1915 u premtohej nga qeveria e Londrës rimëkëmbja e shtetit shqiptar në formën e një “Shqipërie autonome nën protektoratin e Italisë”. Siç dihet nga historiografia, qëndrimet e Francës dhe të Rusisë kanë qenë gjithmonë në mbështetje të nacional – shovinizmit të fqinjëve ballkanikë për të copëtuar tokat shqiptare rast pas rasti dhe konferencë pas konference, qoftë përmes traktateve, qoftë edhe marrëveshjeve të fshehta.
Gjatë qëndrimit në Francë, Ismail Qemali trokiti disa herë në portat e diplomacisë franceze, por aty mësoi se autoritetet franceze për çështjet e Shqipërisë i besonin elementit më të përshtatshëm, Esat Pashë Toptani. Dhe kjo kishte arsyet e veta, pasi pozicionit të vendosur franko-anglez në favor të Greqisë dhe Serbisë, i shkonte për shtat politika që ndiqte Esat Pashë Toptani me bekimin e Serbisë, tek e cila Franca shihte një mbështetje të veçantë. Kështu, Esat Pasha u paraqit në Paris si kryetar i Qeverisë Shqiptare. Diplomacia franceze i propozoi Ismail Qemalit kërkesën e saj për të ngritur në Shqipëri një lëvizje që t’i shërbente si bazë për operacionet e ushtrisë franceze në Ballkan. Por ai e kundërshtoi hapur kërkesën e tyre, pasi vendi i tij nuk mund të bëhej përsëri një fushë beteje. Në këto kushte francezët e braktisën Ismail Qemalin; vetë kryeministri A. Briand u shpreh se nuk mund të ndihmonte “një pensionist të padobishëm për Francën...”.
Si pasojë, Ismail Qemali u njoftua të largohej nga Franca dhe në maj të vitit 1918 mërgoi në Spanjë së bashku me familjen. Siç kujtonte i nipi, Ismail Vlora, ato çaste ai u tregoi të bijve, Et’hemit dhe Qazimit një histori: Vite më parë, më 1871, kur francezët bënin protesta për çështjen e Alsas-Lorenës, Ismail Qemali, i ftuar dhe i shoqëruar nga Viktor Hygo e Klemansoi, kishte marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Francez, pas mbledhjes kishin darkuar në një lokal. Klemansoi, i befasuar nga kultura e Ismail Qemalit, e kishte pyetur: “Si është e mundur që ju dini kaq shumë për vendin tim, ndërsa ne e njohim shumë pak vendin tuaj?” Dhe Ismail Qemali ia kishte pritur: “Kështu ndodh z. Klemanso, sepse ju francezët keni 500 vjet që e merrni baltën dhe e fryni e krijoni heronj, ndërsa ne shqiptarët heronjtë tanë i kemi kthyer në baltë...”.
Duke udhëtuar për në Barcelonë, Ismail Qemali u takua në Marsejë me diplomatin italian Spetia, të cilit i shprehu kënaqësinë, se atje do të kishte më shumë lehtësira për të punuar për çështjen shqiptare, në veçanti përmes kontakteve me shqiptarët e Amerikës. Nga Barcelona, sipas gazetës “Koha”, 25 korrik 1918, ai udhëtoi disa herë në Madrid, ku u takua me ambasadorin e SHBA dhe përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit ballkanik.
Një lëvizje tjetër e rëndësishme e Ismail Qemalit, duke parë terrenin e ashpër dhe të befasishëm evropian, ka qenë dhe bashkëpunimi me kolonitë shqiptare të mërgimit , të cilat kishin rritur mjaft rolin e tyre në Lëvizjen Kombëtare. Të gjendur në rrethana dhe më të favorshme dhe të parrezikuara, ata kishin mundësi të ishin një zë i fortë lidhur me angazhimin për t’i ardhur vendit në ndihmë nga njëra anë, por dhe për të bërë thirrje për drejtësi. Ismail Qemali e kuptonte mjaft mirë këtë mundësi që i afronte lëvizja kombëtare në Amerikë, një vend që kishte rol të rëndësishëm në zhvillimet botërore dhe ato evropiane. Shqiptarët në Amerikë ishin mbledhur rreth organizatës “Vatra” (e cila kishte dy delegatët e saj në Evropë, Mehmet Konicën në Londër dhe Mihal Turtullin në Lozanë) dhe organizata tjetër e njohur si “Partia Kombëtare Politike”, e formuar në vitin 1917, me të cilën u lidh dhe filloi bashkëpunimin Ismail Qemali. “Partia Kombëtare Politike” zgjodhi si përfaqësuesin e saj në Evropë Ismail Qemalin, duke e konsideruar atë si një nga më të njohurit në qarqet diplomatike të Evropës, më i dëgjuari në Shqipëri, i cili “numërohej një nga më të mëdhenjtë diplomatë të Evropës dhe nderohet kudo”, shkruante gazeta “Koha”.
***
Lidhur me qëndrimet e tij të vazhdueshme, ka një korrespondencë të rëndësishme, ku bie në sy një ekuilibër i jashtëzakonshëm. Në letrën që ai nis më 17 nëntor nga Madridi, ndër të tjera bie në sy një pasazh i rëndësishëm, që lidhet me nevojën e sjelljes së tij prej diplomati kur shkruan: “Sa qeshë në Paris, me gjithë sigurimin e plotë për fundin e luftës dhe me besimin tonë për simpathinë e Entantës (bllok i Antantës), detyra jonë ishte të mbajmë terezinë në mes të qeverive të mëdha.” Pavarësisht përplasjes që ndodhi për shkakun e të qenit delegate i Evropës nga “Partia Kombëtare Politike” e Ismail Qemalit, me organizatën “Vatra”, një debat që u zhvillua kryesisht përmes shtypit të njërës dhe tjetrës organizatë, ai pati motive akoma më të mëdha për të punuar sa ishte e mundur në shërbim të vendit. Siç edhe kuptohet, tashmë kishte dhe një dritare më shumë për të punuar dhe për t’i mishëruar idetë dhe punën e tij. E kësaj kohe është dhe thirrja që ai u drejtonte bashkatdhetarëve të tij, ku kërkohej “bashkimi i atdhetarëve”, të cilët duhet të linin grindjet e çastit për të luftuar me argumente të patundura për të drejtat kombëtare lidhur me sigurimin e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë kombëtare të Shqipërisë.
Ismail Qemali nuk qe vënë kot në krye të lëvizjes më të vështirë dhe më madhore ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, nëse ai nuk do të njihte mirë jo vetëm diplomacinë, jo vetëm aktet themeltare ndërkombëtare mbi kombet dhe popujt, jo vetëm historinë e zhvillimit të popujve ballkanik dhe evropian, por dhe konjukturën dhe artin e madh të të bërit diplomaci. Ai njihte mirë mekanizmat dhe mjetet që i kërkoheshin një diplomati dhe argumentet që i duheshin një vendi për t’iu imponuar realitetit ndërkombëtar që ai t’i njihte atij të drejtat e duhura.
Natyrisht, i gjendur në të shumtën e rasteve në një realitet zhgënjyes, në një diplomaci të shteteve të huaja, të cilat nuk e kanë dashur kurrë Shqipërinë, Ismail Qemali arriti të bënte kaq shumë duke e vënë çështjen shqiptare në tryezat më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar dhe të Fuqive të Mëdha të kohës, të cilat nuk mund ta anashkalonin atë. Përveç nevojës së organizimit dhe këmbënguljes për të qenë prezent në mënyrë të vazhdueshme në Evropë, kryesisht në qendra të tilla si Londra dhe Amerika, ai kërkonte që të kishte tri sekretarë (një për gjuhën shqipe, një për gjuhën angleze dhe një për gjuhën franceze), por ishte e nevojshme botimi i një buletini (në anglisht dhe frëngjisht), për t’i bërë jehonë çështjes shqiptare, me të dhëna nga historia, etnografia, gjeografia, ekonomia, politika dhe shkrime nga shkrimtarë të dëgjuar nga Evropa që kishin shkruar për Shqipërinë.
Krahas këtyre, Ismail Qemali u propozonte shqiptarëve të Amerikës edhe botimin e një libri mbi gjeografinë ekonomike të Shqipërisë, ku krahas të dhënave të tjera për shtypin dhe diplomacinë e Europës, të përfshiheshin edhe dy harta: njëra etnografike dhe tjetra politiko-fizike, duke mbrojtur me argumente historike kufijtë e Shqipërisë. Ai këmbëngulte në rishikimin e të drejtave etnike të popullit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha, pasi: “Pa iu shtuar Shqipërisë, nga ana e Veriut Kosova dhe nga ana e Jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisinë e Ballkanit…”.
E mrekullueshme dhe mjaft informative është dhe korrespondenca që Ismail Qemali pati gjatë kësaj kohe me “Partinë Kombëtare Politike”, ku bie në sy thirrja për të shmangur grindjet ndër shqiptarët, sepse, siç nënvizonte ai: “ky shtet, megjithëse i gdhëndur në të gjitha anët ashtu si u njoh nga Konferenca e Londrës më 1913, duke qënë i copëtuar dhe në duar të huaja, në ditën e paqes, nuk dimë cili do të na dalë mbrojtës dhe cili do të jetë miku i vërtetë i Shqipërisë”.
Në këtë kuptim, Ismail Qemali kërkonte një bashkëpunim të madh të faktorit shqiptar të organizuar, duke mos harruar kurrë padrejtësitë që Konferenca e Londrës i bëri Shqipërisë. Pasi koha nxori në skenë marrëveshje të tjera të fshehta, të cilat ishin në dëmin e Shqipërisë, veçmas pas njohjes dhe botimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës, Ismail Qemali krijoi idenë se shqiptarët mund të mbështeteshin te SHBA-të, e cila nuk e kishte nënshkruar këtë Traktat. Lidhur me mbështetjen te SHBA-të, Ismail Qemali kishte një logjikë praktike, pasi Amerika duke mos pasur synime të drejtpërdrejta si Italia ndaj Shqipërisë, mund t’i përkrahte interesat e saj.
Kështu, shpallja e Programit të Paqes nga Uillson në vitin 1918, i dha shkas Ismail Qemalit të shprehej se qeveria e Shteteve të Bashkuara do t’i shihte “me mirëdashje kërkimet tona, të cilat hyjnë në kufirin e programit të paqes të zotit Uillson”. Duke këshilluar me mjaft intelekt politik, Plaku i Vlorës, në raportin që i dërgonte Partisë Politike, shfrytëzonte mjaft mirë manualin politik të deklaratës së Presidentit Uillson, për “pavarësinë politike e tërësinë tokësore njëlloj, si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla”, prandaj ai vinte në dukje se fusha më e pëlqyeshme për zgjidhjen e çështjes kombëtare do të qe Amerika.
***
Qëndrimet e Ismail Qemalit lidhur me zhvillimet kombëtare, të cilat i referohen plotësisht situatës në Shqipëri, kryesisht pas dorëheqjes së qeverisë së drejtuar prej tij, kanë një konsekuencë të hapur dhe të shquar patriotike. Ismail Qemali, si një intelektual i kohës, me dije dhe bagazh të veçantë kulturor, prej filozofi, diplomati dhe shtetari, e ka parë Evropën, Ballkanin, diplomacinë dhe politikën, paqen dhe luftën në raport me Shqipërinë dhe të drejtat e saj. Në këtë kohë të shkurtër, por nën tensionet e zhvillimeve të mëdha politike dhe diplomatike, qoftë në Shqipëri dhe jashtë saj, ka një shqisë të mprehtë diplomatike; ai u kërkon njerëzve të tij, shqiptarëve, që të jenë bashkë, të shmangin konfliktualitetin, t’i imponohen Perëndimit se janë të aftë për të ndërtuar shtet. Jo më pak, këtë e kërkon dhe tek atdhetarët, të cilët kanë kontribute jashtë vendit, ashtu siç kërkon të gjejë mjete, forma dhe mekanizma për t’iu imponuar faktorit ndërkombëtar, duke shfrytëzuar çdo klauzolë për të përfituar nga reformat dhe programet e paqes, ashtu siç është kritik në çdo rast ku shfaqet loja e të huajve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ndërkohë ai kurrë nuk harron copëtimin e trojeve si plagë që kurrë nuk mund të shërohen. Në një letërkëmbim nga Barcelona më 29 nëntor 1918, ai shkruan: “Sonte nisem për Romë”.
Në këtë qerthull kohor, kryesisht në dekadën e dytë të shek. XX, Ismail Qemali përdori shtypin e kohës, falë elegancës dhe aftësisë për të lexuar diplomacinë e shteteve të mëdha në kontekste dhe perspektivë dhe më të gjerë. Një shkrim i gjerë në të cilin mishërohet mjaft mirë njohja, dija, kultura dhe reflektimi i tyre në qëndrimet diplomatike lidhur me shqiptarët është ai që titullohet “Shqipëria dhe shqiptarët” (botuar në vitin 1917 në Francë), në të cilin arrin të përdorë me mjaft vlerë dhe funksion referenca perëndimore, siç është ajo e një letërkëmbimi të nivelit të lartë dhe të rëndësishëm të kohës, të z. Goshen, (telegram) ambasador i Britanisë së Madhe në Stamboll në vitin 1880, dërguar kreut të Foreign Officit (Lordit Granville), në të cilin flitet plotësisht për shqiptarët. Aty Goshen vëren se vendi i shqiptarëve, trojet, historia, kultura historike, pozita gjeografike e tyre përbën një nyje strategjike të dobishme dhe të rëndësishme për Evropën, që për të mos ndërhyrë në Ballkan, d.m.th për t’i vënë përpara një barrikadë perandorisë osmane për të depërtuar në Evropë, krijimi i një shteti të fortë dhe të plotë shqiptar, do t’ia kursente Evropës këtë investim. Në vijim të një opinioni të natyrës diplomatike dhe gjeostrategjike, Goshen reflekton njohjen e mirë që ai ka për shqiptarët, çka tregohet se në perëndim kishte një interesim jo të vogël për shqiptarët dhe të kaluarën e tyre në kushtet e zhvillimeve bashkëkohore.
Në këtë studim etnologjik dhe diplomatik, Ismail Qemali shpërfaq cilësime të natyrës si “fortesë e fuqishme”, “tri anë të nga rrethi i majave të maleve e nga ana e katërt nga deti”, “banuar që në fillim nga një racë, origjina e së cilës shkon në kohë të Pellazgëve”, “krenarinë e origjinës së saj parahelenike”, “peizazhe me bukuri të madhe e magjepsëse”, “fusha të gjera e pyje të veshur me gjelbërim, ose ngjyrë ari sipas stinës” pra, një përshkrim të mrekullueshëm të peizazhit shqiptar.
Vijon…