Avokati i Popullit, Igli Totozani, uron të gjithë shqiptarët në Festën e Europës, duke përcjellë mesazhin se me zgjedhjet e 23 qershorit, shqipëria duhet t’i afrohet një hap më pranë Bashkimit Europian. Përmes një mesazhi të shpërndarë nga zyra e shtypit, Totozani shprehet se në ditën e zgjedhjeve, asnjë qytetari me të drejtë vote, për çfarëdo arsyeje nuk duhet t’i mohohet e drejta e shprehjes së vullnetit dhe bindjeve të tij.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë!
Sot është festa e Europës, fesa e paqes dhe unitet të Europës, sot është edhe festa jonë, e të gjithë europianëve që shikojmë tek Europa shpresën dhe idealin tonë për paqe dhe demokraci për një drejtësi të pavarur, të barabartë, të paanshme dhe eficiente për bashkëpunim e mirëqenie të përbashkët. Kjo festë vjen sot pak kohë para zgjedhjeve të përgjithshme në vend, suksesi i të cilave do të ndikojë në ecjen tonë drejt Europës. Gjithsesi ne mendojmë se me zgjedhjet e qershorit Shqipëria do të duhet të gjendet një hap më pranë Europës. Për këtë zgjedhjet e këtij viti, ky ushtrim i jashtëzakonshëm demokracie duhet të jenë të ndershme e të drejta e të zhvillohen në një klimë të qetë e qytetare. Në mënyrë të veçantë në mendojmë se asnjë qytetari shqiptar me të drejtë votë për çfarëdo arsye do të duhet t’i mohohet kjo si shprehje e vullnetit dhe bindjes së tij të pavarur. Ne mendojmë se në mënyrë të veçantë duhen marrë të gjitha masat e nevojshme që personat me aftësi të kufizuar të mund të votojnë në kushte të përshtatshme për ta”, thuhet në deklaratë.
Avokati i Popullit kërkon që në mënyrë të veçantë të tregohet kujdes për grupet e tjerë vulnerabël, në mënyrë të veçantë romët dhe egjiptianët, si dhe të ngujuarit e gjakmarrjes. Gjithashtu, Avokati i Popullit u bën thirrje partive politike të lënë të qetë fëmijët të përmbyllin me sukses vitin shkollor me rezultate sa më të larta, fryt i djersës së derdhur gjatë gjithë vitit dhe në asnjë rast të mos i përdorin ata si sfonde të mitingjeve elektorale.
“Avokati i Popullit mendon dhe beson se administrata publike do të vazhdojë të qëndrojë dhe punojë pa asnjë shkëputje, në disa raste 24orë në 24 orë në shërbim të qytetarit për t’i garantuar atij zbatimin e të drejtave dhe shërbimeve që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet.
Ne mendojmë dhe shpresojmë gjithashtu se ndaj administratës publike qendrore apo lokale, funksionareve dhe punonjësve të saj të çdo rangu e pozicioni nuk do të verifikohen presione të natyrave të ndryshme, apo urdhra të kundërligjshëm që do të synojnë të lidhin, apo ndërvarin karrierën e gjithsecilit me favore, apo shërbime elektorale të paparashikuara në ligjet në fuqi që rregullojnë administratën publike, apo kontratat individuale të punës. Gjithashtu ne besojmë në ndershmërinë dhe kurajon e gjithsecilit kontribuues në administratën publike qendrore dhe lokale për të denoncuar këto raste”, thuhet më tej në deklaratë.
Totozani bën thirrje që këto zgjedhje të realizohen si europianë, ndërsa kritikon përfaqësimin e ulët të femrës në listat elektorale. “Si të tillë do të duhet t’i kishim nisur qysh tek përqindja e grave në listat elektorale, e cila edhe kësaj radhe ishte një zhgënjim për ne. Avokati i Popullit sot me rastin e ditës së Europës fton për një reflektim të thellë nga kushdo që nisur nga roli, apo pozicioni publik të vlerësojë këto zgjedhje dhe të ardhmen e Shqipërisë si një qytetar europian.
Por në radhë të parë Avokati i Popullit fton çdo qytetar të Republikës sonë të mos reshtë së kërkuari Europën dhe të mos lodhet së ndërtuari Shqipërinë Europiane.
Gëzuar 9 majin Shqipëri Europiane !!!”, përfundon AP.
Totozani mire e thote se zgjedhjet duhet te behet si Europian. Po per te bere kto si thuani ju duhet te jemi si ata.Vetem gjografikisht jemi se as gje tjeter te perbashet nuk kemi. Per ket Europa na ndau ne pese shtete.