Një futbollist 17-vjeçar dhe kushëriri i tij, kanë përfunduar në pranga, pasi akuzohen se i kanë djegur makinën drejtorit teknik të ekipit të Flamurtarit, Ardi Behari. Gazeta shqiptare citon burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, të cilat kanë deklaruar se ngjarja ka ndodhur gjatë natës së 22 marsit, ndërsa mjeti tip “Range Rover” në pronësi të Beharit është djegur plotësisht. Në vendngjarje është gjetur nga policia një telefon celular, që pas verifikimeve ka rezultuar i njërit prej dy kushërinjve, çka ka bërë që të shoqërohen fillimisht Santiago Dalipi, 17 vjeç, dhe Gerenc Dalipi, 23 vjeç. Sipas policisë, akti është bërë në shenjë hakmarrjeje, pasi 17- vjeçari ishte pezulluar një vit më parë nga ekipi i para të rinjve të Flamurtarit. Ndërkaq, vetë drejtori teknik i Flamurtarit, Ardi Behari, në një prononcim për Gazetën Shqiptare, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë konflikt personal me autorin.